Zoran Zaev i dorëzon zyrtarisht partinë Kovaçevskit: Negociatat me BE-në do të hapen me kryeministrin e ri!

208
Sigal

Pasditen e sotme në selinë e LSDM-së është realizuar pranim-dorëzimi i funksionit kryetar i partisë. Nga LSDM noftojnë se ish kryetari Zoran Zaev ka uruar kryetarin e sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski për fitoren në zgjedhjet brendapartiake.

“Kryetar, të uroj fat, mençurinë e ke, ta mbrosh këtë parti të madhe dhe shtetformuese, të kujdesesh për socialdemokracinë, të kujdesesh për unitetin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, zgjedh një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë”, i tha Zaev kryetarit të ri Dimitar Kovaçevski.
Nga LSDM shtojnë se kryetari i ri, Dimitar Kovaçevski e falënderoi ish kryetarin Zaev për kontributin në parti por edhe në Qeveri.
“Ju falënderoj edhe për vendimet e mençura që ke marrë për partinë, por edhe për vendin, falë të cilave sot vendi është anëtar i NATO-s dhe jemi në prag të fillimit të negociatave me BE-në. Faleminderit që latë një parti me një trashëgimi që ka potencialin më të madh në kuadro. Dëshiroj t’ju uroj shëndet dhe lumturi në jetën tuaj personale dhe profesionale”, tha Kovaçevski.

Dorëheqja e Zoran Zaev nga funksioni i kryetarit të LSDM-së erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale.

Zoran Zaev beson se një ndër sukseset që e presin si kryeministër Dimitar Kovaçevskin është marrja e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Zaev deklaroi se në bisedimet e deritanishme me kryeministrin e ri të Bullgarisë, është theksuar se brenda 6 muajve duhet të përmbyllet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes.

“Atë çfarë kemi biseduar me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov është se kjo duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 muaj. Jemi pajtuar se duhet të formojmë edhe grupe punuese për energjetikë, infrastrukturë, ekonomi, kulturë, shëndetësi, dhe gjithçka çka është me rëndësi që të mund të krijojmë ambient, që të tejkalohen këto çështje”, tha mes tjerash Zaev.