Zoran Zaev dorëhiqet të martën, pasuesi mund të formojë qeveri të re

220
Sigal

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev do të thërrasë Këshillin Qendror të LSDM-së të martën, për të zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga posti i liderit të partisë. Ky akt do të kryhet në mënyrë që të hapet rruga për kryetar të ri të partisë qeveritare dhe që mandatari i ri zyrtarisht të mund ta njoftojë presidentin se ka shumicë për të formuar qeveri.

Siç tha kryeministri aktual Zaev, procedurat kushtetuese diktojnë që shteti të mos arrijë të ketë votuar qeverinë e re para 14 dhjetorit kur paralajmëronte se Maqedonia e Veriut mund të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

“I dini procedurat Kushtetuese. Deri datën 14 as nuk mund të arrihet zgjedhja e qeverisë së re, nuk mund të zgjidhet mandatari dhe kryeministri i ardhshëm i shtetit. Prandaj gjatë kësaj periudhe është e logjikshme që LSDM ta shfrytëzojë kohën dhe ta zgjedhë kryetarin e saj. Prandaj ju njoftoj se do tu kërkoj organeve të partisë që të organizohet konstatimi i dorëheqjes time të martën dhe të nisë procedura për emërimin e kryetarit të ri i cili do të jetë mandatari i ardhshëm që do të propozojë qeverinë e re”, u shpreh Zoran Zaev.

Ende nuk dihet se kush do të jetë pasusesi i Zaev edhe pse si një ndër emrat më shpeshtë të përmendur në opinion është ai i Dimitar Kovaçevskit, zëvendës ministrit aktual të financave.

Të martën do të mblidhet edhe kryesia e Alternativës, e cila do të vendosë për hyrje ose jo në qeveri. Varësisht prej epilogut, bisedimet finale për hyrje në qeveri të Alternativës dhe ndarja e posteve do të bëhet nga fundi I javës së ardhshme.