Zgjedhjet presidenciale/ Clinton dhe Trump intensifikojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit

452
Sigal

Hillary Clinton dhe Donald Trump nuk po i kursejnë fjalët
në sulmet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rezultatet e anketave tregojnë se gara mes
tyre vazhdon të jetë e ngushtë. Rivaliteti i fortë i ka bërë dy kandidatët të
luftojnë për të fituar epërsi në ditët e fundit të fushatës.

Hillary
Clinton, kandidatja demokrate u përpoq ta zhvendoste fokusin tek rivali Trump
pas disa ditësh kritika ndaj FBI-së, që vendosi të rihapë hetimin lidhur me
emailat e saj.

Zonja
Clinton bëri fushatë në Florida të martën me Alicia Machadon, ish Miss
Universin, e cila thotë se Trump e përçmoi atë për pamjen e saj fizike kur
ishte pronar i konkursit të bukurisë.

Clinton
e sulmoi zotin Trump për çështjet e karakterit dhe temperamentit, veçanërisht
për trajtimin e grave.

“Ai
nuk na sheh ne si qënie njerëzore, me ëndrra, me synime, me mundësi dhe këtë e
ka treguar qartë gjatë fushatës së tij. E pra ai e ka gabim. E ka gabim si për
gratë edhe për burrat e këtij vendi. Ai e ka treguar veten. Le t’ja tregojmë të
martën se kush jemi ne.”

Ndërkohë,
Trump premtoi gjatë një tubimi fushate në Pensilvani se do të shfuqizojë ligjin
e kujdesit shëndetësor, që po kritikohet vazhdimisht ndërsa konsumatorët
përballen me rritjen e çmimit për disa plane të sigurimit shëndetësor.

“Do
t’i kërkoj Kongresit të thërrasë një seancë të posaçme për të shfuqizuar dhe
zëvendësuar ligjin. Do të jetë nder për mua, për ju, për të gjithë në këtë vend
pasi Obamacare duhet zëvendësuar. Ne do ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë shpejt.
Ligji është katastrofë.”

Trump
ka tre tubime të planifikuara për sot në Florida, një nga shtetet që shihet si
i domosdoshëm për të siguruar 270 votat elektorale që duhen për të marr
presidencën.

Clinton
shkon sot në Arizona, një shtet tradicionalisht republikan por ku popullsia
hispanike në rritje kundërshton qëndrimin anti-imigracion të Trumpit dhe
premtimin e tij për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Anketat
e fundit flasin për një garë të ngushtë Clinton-Trump, ndërkohë që një pjesë e
të anketuarve, ndonëse mjaft e vogël, kanë preferenca pro kandidatëve të
partive të treta, Gary Johnson i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë
së Gjelbër.