Pak orë para zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Greqi, sondazhet flasin për një diferencë tejet të ngushtë mes radikalëve të SYRIZA-s dhe konservatorëve të Demokracisë së Re. Sipas sondazhit të fundit që është publikuar sot, SYRIZA ka 25.3% të pikëve, ndërsa “Demokracia e re” ka 25%, një diferencë që nuk jep asnjë ide për atë se kush mund të jetë fituesi i së dielës në zgjedhje.
Ndërkaq “Agimi i Artë” ka 6.4%, komunistët 6.2 ndërsa PASOK është në kuotën e 4.7%. Ka sondazhe të tjera, ku kryeson lehtë “Demokracia e re” gjë që i bën zgjedhjet e parakohshme të 20 shtatorit, shumë të paparashikueshme. Shifrat tregojnë se asnjë nga dy partitë e mëdha nuk do të fitojë shumicën, dhe do të jetë shumë i vështirë krijimi i një koalicioni qeverisës.




















