Zgjedhja e Hashim Thaçit President në duart e LDK-së së Mustafës

426
Marrëveshja e koalicionit qeverisës, PDK-LDK-Lista Serbe ka ardhur në pikën e fundit,e cila do të duhej të zbatohej ashtu siç edhe ishin marrë vesh.
Në bazë të kësaj marrëveshje që ishte nënshkruar në vitin 2014 president i Kosovës pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, vendin e saj duhet ta zë Hashim Thaçi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkohë që Isa Mustafës iu dha posti i kryeministrit.
Derisa Mustafa dhe Thaçi këtë punë e quajnë të kryer sipas marrëveshjes, ka disa nga deputetët e LDK-së së Isa Mustafës që kanë deklaruar se do të provojnë ta pamundësojnë zgjedhjen e Thaçit president.
Ata vlerësojnë se Thaçi nuk është një figurë unifikuese, por përçarëse.
Ndërsa monitorues të punës së Kuvendit konsiderojnë se zgjedhja e presidentit në këso kushte vetëm sa do të thellonte krizën në vend.
Përveç disa deputetëve të LDK-së, zgjedhjen e Thaçit për president të Kosovës e kundërshtojnë edhe partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.
Nga ana tjetër, derisa Mustafa e Thaçi thonë se koalicioni qeverisës është i bashkuar në vendimet që do të marrin lidhur me këtë çështje, është deputetja e LDK-së Vjosa Osmani që thotë se do të kundërshtojë zgjedhjen e Thaçit president.
Ajo thotë se nuk do të bëjë asnjë presion tek koleget deputetë, veçse shpreson që do të ketë edhe të tjerë që do ta kundërshtojnë.
Osmani: “Të gjithë e dinë kush është zoti Thaçi, e dijnë që nuk është figurë unifikuese siç kërkohet me Kushtetutë. Dhe të gjithë e dinë shumë qartë që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e tij është që atë ditë ta pamundësojnë kuorumin”.
Por ai që nuk shpreh asnjë dilemë se shumë shpejt do të dalë përpara popullit si president i Kosovës, është vet i propozuari nga PDK-ja, Hashim Thaçi.
Thaçi: “Ne do ta respektojmë në tërësi marrëveshjen mes partnerëve të koalicionit, pra të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe gjithë partnerëve tjerë të koalicionit. Do të respektohen në përpikëri Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, do të respektohet në përpikëri të gjitha procedurat në kuadër të legjitimitetit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe natyrisht procedurave të nevojshme të domosdoshme legale. Prandaj mendoj që në këtë drejtim nuk ka ndonjë dilemë”.
Thaçi tha sot se ky proces do të shkojë në interesat e shtetit të Kosovës, të të gjithë qytetarëve dhe së ardhmes euro-atlantike.
Thaçi: “Ne kemi mandatin e plotë kushtetues ligjor, legjitimitetin e plotë qytetar dhe do të punojmë edhe për reforma të ndryshme demokratike në mënyrë që zgjedhjet e lira të ardhshme lokale të mbahen në vjeshtë të vitit 2017 dhe ato të përgjithshme në qershor të vitit 2018”.
Sipas tij, i gjithë spektri politik duhet t’i marrë përgjegjësitë që i ka dhe kështu të krijohet stabiliteti i institucioneve.
Albert Krasniqi nga KDI konsideron se me zgjedhjen e presidentit jo që nuk do zhbllokohej situata në vend, por veç sa do të thellohej kriza.
Marrë parasysh veprimet e partive opozitare gjatë seancave të fundit të Kuvendit të Kosovës, dhe deklaratat e opozitës që do të kundërshtojnë zgjedhjen Thaçit president, një seancë e tillë do të mund të mbahej edhe në sallat alternative të Kuvendit.
Krasniqi thotë se me gjithë legjitimitetin që kanë seancat edhe në sallat tjera alternative, zgjedhja e presidentit në një situatë të tillë do të luhaste besimin në institucionin e Presidencës.
Krasniqi: “Por zgjedhja e presidentit në këto kushte dhe rrethana të tilla do të dëmtonte shumë legjitimitetin e tij ose të saj, për shkak se nëse një president i cili nuk vjen si rezultat i një kompromisi të përgjithshëm do të kishte shumë vështirësi dhe do të kishte luhatje në vetë besimin e institucionit të cilit duhet ta përfaqësoj”.
Sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhja e presidentit të vendit duhet të bëhet nga shumica e votave të deputetëve që janë prezent në sallë. Nevojitet një kuorum prej 80 deputetësh. Nëse kandidati për president nuk merr votat e dy të tretave në dy raundet e e para, atëherë në raundin e tretë presidenti zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 votash të deputetëve./KosovaPress/
Sigal