Zbulohen hollësitë e ekzekutimit të shkencëtarit kryesor të Iranit

285
Sigal

Hollësi të reja janë zbuluar lidhur me ekzekutimin e shkencëtarit të rëndësishëm iranian Mohsen Fakhrizadeh, i cili sipas zyrtarëve të lartë të inteligjencës amerikane dhe izraelite thonë se qëndronte prapa programit klandestin të armëve bërthamore të Iranit.

“Duke bërë përherë të njëjtën rrugë, me kujdes dhe i shoqëruar për në shtëpinë e vjehrrit të tij në një qytet jashtë Teheranit, makina e Fahrizadeh u ndalua të premten nga një makinë bombë që shpërtheu.

Shpërthimi i fuqishëm rrëzoi një shtyllë elektrike pranë duke bërë që në zonë të binte terri i plotë.” – raportoi ‘The New York Times’ që citon mediat iraniane.

“Një ekip personash të armatosur më pas dolën nga një fuoristradë e zezë dhe pasi eliminuan truprojat e shkencëtarit të njohur, qëlluan me breshëri edhe vetë Fakhrizadeh, duke e lënë të vdekur në rrugë.”

‘Times of Israel’ raportoi se tre nga truprojat e Fakhrizadeh u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe se operativët që kryen goditjen e koordinuar u arratisën menjëherë. Media izraelite shton se shpërthimi nga makina bombë ishte aq i fuqishëm, sa i çoi copëzat disa qindra metra larg.

Raportet e pakonfirmuara nga një gazetar iranian pretenduan se më shumë se dhjetë persona morën pjesë në ekzekutimin e shkencëtarit dhe shoqëruesve të tij. Një pjesë e tyre erdhën me një fuoristradë ndërsa të tjerët ishin me motora.

Gazetari pretendoi se ekipi kishte mbështetje me snajper dhe se operativët e nxorrën Fakhrizadeh nga makina, e qëlluan atë dhe u siguruan që ai kishte vdekur.

Midis viteve 2010 e 2012, të paktën katër shkencëtarë të lartë iranianë të lidhur me programin klandestin të armëve bërthamore të vendit janë eliminuar gjatë operacioneve të ndryshme.

“Në vitin 2011, Darioush Rezaeinejad, një student doktorant i Inxhinierisë Elektrike, puna e të cilit përfshinte aplikime bërthamore, u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Teheran.” – raportoi Washington Post.

“Në vitin 2012, disa motoçiklistët bashkangjitën një bombë magnetike që copëtoi një makinë që mbante Mostafa Ahmadi Roshan, një shkencëtar bërthamor që punonte në objektin kryesor të Iranit për pasurimin e uraniumit në Natanz. Roshan, 32 vjeç, kishte planifikuar të merrte pjesë në një përkujtimore për një studiues tjetër bërthamor, profesorin e Universitetit të Teheranit Masoud Ali Mohammadi, i cili u vra në një shpërthim të ngjashëm në vitin 2010.”

Gjithashtu në vitin 2010, Majid Shahriar, një inxhinier bërthamor, u vra me bombë. Një tjetër shkencëtar gjithashtu ishte në shënjestër, por mbijetoi.

Në vitin 2007, shkencëtari bërthamor Ardeshir Husseinpour ra i vdekur pasi u helmua. Raportet kanë ndryshuar në lidhje me atë që ka ndodhur me Husseinpour, pasi disa kanë pretenduar se ai ishte në shënjestër të Izraelit, ndërsa motra e tij pretendon se ai u vra nga Irani se refuzoi për të punuar në projektet bërthamore të vendit.

Eliminimi i Fakhrizadeh mund ta bëjë shumë më të vështirë për administratën e ardhshme të Biden-it që të hyjë sërish në marrëveshjen bërthamore të Iranit, një marrëveshje me të meta që hoqi sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit në këmbim që Irani të pranonte kufij në programin e tij bërthamor.