Zaev dhe Tsipras informojnë palët për “Republikën e Maqedonisë së Ilindenit’

604
Sigal

Partitë opozitare greke dhe maqedonase kanë shprehur rezerva për marrëveshjen e arritur mes kryeministrave Tsipras dhe Zaev, sa i përket çështjes së emrit, ndërsa qëndrimet më të ashpra paraqiten në Athinë. Sipas partisë ‘Demokracia e Re’, emri ‘Republika e Maqedonisë së Ilindenit’ nuk i jep zgjidhje problemeve që janë parashtruar ndër vite. Ndërkaq, Kryeministri Zaev nga ana tjetër, kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për t’i dhënë fund problematikës që vijon prej afro tre dekadash. 

Pas dakordësisë së arritur në Samitin e Sofies, kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, kanë nisur procesin e diskutimeve në vendet respektive për çështjen e emrit, duke paraqitur alternativën ‘Republika e Maqedonisë së Ilindenit’.

Në takimin e mbajtur në Shkup, ishin pjesëmarrës krerët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidentin Ivanov, kryeparlamentari, Talat Xhaferri, përfaqësuesit e opozitës si dhe të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare.

Gjatë fjalës së mbajtur pas takimit, Kryeministri Zaev tha se i kishte paraqitur aktorëve kryesore emrin për të cilin ka rënë dakord me homologun Tsipras dhe se pret një qëndrim konstruktiv për të zgjidhur këtë çështje problematike.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Greqisë është pritur në Presidencë nga Presidenti i vendit, Prokopis Pavlopulos, të cilit i ka komunikuar marrëveshjen parimore.

Pas bisedës me kreun e shtetit, Tsipras ka telefonuar kryetarët e gjashtë partive opozitare, të cilat sikurse pritej kanë shprehur rezerva.

Qëndrimi më i ashpër ka qenë ai Qirjako Mitsotaqis nga Demokracia e Re. Sipas tij, emri ‘Republika e Maqedonisë së Ilindenit’, përveçse nuk zgjidh çështjen, shton edhe më tepër mosmarrëveshjet mes palëve, duke qenë se vijon të mbetet një term i cili shfaq pretendime kundrejt historisë dhe territoreve helene.

Ndërkaq, partitë e tjera opozitare, duke mos e fshehur skepticizmin, bënë të ditur se do t’a japin qëndrimin e tyre përfundimtar kur të kenë përpara një draft final të asaj që synohet të arrihet.