Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nënshkrimi i letrës së synimit me kompaninë “Lufthansa” për rikthimin e linjës ajrore Beograd- Prishtinë është “gjë e rëndësishme për vendin tonë”.
Vuçiqi, siç raporton agjencia serbe e lajmeve FoNet, u ka thënë gazetarëve në Davos se kanë arritur më të mirën e mundshme në këtë marrëveshje, duke mbrojtur “unitetin e territorit të Serbisë dhe të gjejmë njëfarë zgjidhjeje kompromisi përmes së cilës askush s’mund të na thotë se e kemi njohur Kosovën”.
Sipas tij, bisedimet për këtë çështje janë zhvilluar për një kohë të gjatë.
Në lidhje me kritikat e opozitës se “Air Serbia” nuk është avio-operatori nënshkrues i marrëveshjes, por Lufthansa, Vuçiqi tha se “është e pamundshme që kjo të bëhet përmes ‘Air Serbia’, jo pse shqiptarët nuk duan”.
Sipas fjalëve të tij, “ka qenë kjo një betejë disamujore me shqiptarët që këtu ta përfshijmë KFOR-in, dikë që ishte caktuar me rezolutën e Kombeve të Bashkuara për atë zonën”.
Vuçiqi e ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për interesimin, ndërsa përfaqësuesit e administratës për energjinë e vënë në këtë marrëveshje, por shtoi se “nuk do të jetë e lehtë as për ne, as për amerikanët, e as për shqiptarët që e tërë kjo të bëhet”.