Vuçiç: Serbët e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të jetë shumë e dhimbshme

2469
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për AFP thotë se çështja e Kosovës është pengesa kryesore e pranimit të Serbisë në BE. Ai tha se populli serb është i vetëdijshëm se zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë shumë e dhimbshme. Agjencia franceze e lajmeve (AFP), shkruan se BE-ja, e cila të enjten në Sofje organizon një samit për Ballkanin, është e ndarë lidhur me pavarësinë e Kosovës, sepse pesë anëtarë të saj nuk e kanë njohur ende. Megjithatë, BE kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat duan të bëhen anëtarë të BE.
Tema e pavarësisë së Kosovës edhe dhjetë vjet pas shpalljes është tabu politike në Serbi, e cila e ka përfshirë edhe në kushtetutën e saj. “I vetmi problem i madh, të cilin unë e konsideroj një pengesë reale për rrugën tonë evropiane, është çështja e Kosovës. Në fund, e gjitha varet nga Kosova”, ka thënë Vuçiç në intervistë për AFP, përcjell Telegrafi. Agjencia shkruan se çështja e Kosovës e zbeh politikën e Evropës ndaj Rusisë, aleates tradicionale të Serbisë, sepse, siç thotë Vuçiç “në rastin më të mirë, kjo (hyrja në BE) është për shtatë vjet, e situata ndërkombëtare do të jetë krejtësisht ndryshe”.

“Në qoftë se më pyesni nëse BE-ja i entuziazmon serbët, përgjigja është: jo. Por, është një popull racional, se çfarë është rruga më e mirë për serbët dhe Serbinë, dhe është i vetëdijshëm se çështja (e Kosovës) duhet të zgjidhet në një mënyrë shumë të dhimbshme”, tha Vuçiç.
Vuçiç thotë se edhe pse gjatë vitit të ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, një pjesë e madhe e popullatës mbështet hyrjen në BE. Vuçiç theksoi nevojën për kompromis, me të cilin të dyja palët do të ishin nga pak të pakënaqur, “në vend të një situate, ku njëra palë merr gjithçka, e tjetra poshtërohet”. Sipas Vuçiçit, vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave Serbe mund të flitet për zgjidhjet e mundshme për të ardhmen. “Për njohjen e Kosovës ende nuk është diskutuar dhe Serbia nuk dëshiron një zgjidhje të tillë”. AFP shkruan se zgjidhja përfundimtare do të kërkonte ndryshim në Kushtetutën e Serbisë, e që duhet të konfirmohet përmes një referendumi.
“Në rast të një rezultati negativ të referendumit, atëherë kjo do çonte në një konfliktit të ngrirë për disa dekada dhe të gjithë do të donin ta braktisnin Serbinë”, tha Vuçiç. Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka folur disa herë për shkëmbimin e mundshëm të territoreve . AFP thotë se Vuçiç kurrë nuk e ka marrë në konsideratë publikisht këtë ide, sepse zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë një gjë të tillë e konsiderojnë destabilizuese. “Unë dëgjoj çfarë thonë ata në Perëndim (…) se kjo do të hapte kutinë e Pandorës. Por, kutia e Pandorës u hap dhjetë vjet më parë, kur vendet perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç. Sipas tij, “serbëve duhet t’u ofrohet diçka që do t’u tregonte se janë të respektuar dhe se 30 vjet pas luftërave nuk do të paguajnë për atë që ka ndodhur në ish-Jugosllavi”.
Sigal