Vritet me thikë në Berlin djali i ish-presidentit të Gjermanisë

557
Sigal

Djali i ish presidentit të Gjermanisë Richard von Weizsäcker është vrarë pasi u godit me thikë në Berlin.

Fritz von Weizsäcker, një mjek i shquar dhe drejtues i një klinike private në Berlin, u sulmua ndërsa jepte një leksion mbrëmjen e së martës.

Policia tha se një 57-vjeçar u arrestua në vendin e ngjarjes dhe po merrej në pyetje. Ata thanë se autori nuk kishte precedentë dhe nuk kishte qenë pacient në klinikën e viktimës.

Dëshmitarët thanë që autori i sulmit ishte ulur në radhën e parë të sallës së leksionit. Ai u vërsul drejt doktorit dhe e goditi me thikë në mënyrë të përsëritur. Një polic civil i pranishëm u përpoq ta ndalonte, por u plagos rëndë. Rreth 20 të pranishëm në audiencë e ndaluan autorin ndërsa u përpoq të ikte.

Fritz von Weizsäcker, 59 vje,  ishte më i riu nga katër fëmijët e Richard von Weizsäcker. Ky i fundit shërbeu si kryebashkiak i Berlinit Perëndimor dhe president i Gjermanisë Perëndimore dhe më pas i asaj të bashkuar për një dekadë, nga viti 1984 deri në 1994, i vetmi president gjerman që shërbeu për dy mandate të plota. Ai vdiq në 2015-ën dhe konsiderohej si një nga politikanët më të respektuar të Gjermanisë pas luftës.

Mësohet se autori ai i ka thënë policisë se donte të hakmerrej ndaj familjes von Weizsäcker për rolin që dyshohet se luajti kompania e kimikateve Böhringer duke siguruar kimikate helmuese të përdorura në luftën e Vietnamit.

Ndërmarrja gjermane e kimikateve Böhringer Ingelheim është përballur me kritika të përsëritura në të kaluarën për dërgimin e 720 tonë të një kimikati helmues në një filial të Dow Chemicals në Zelandën e Re. Ky ishte një nga përbërësit e Agjentit Portokalli, lënda helmuese për njerëzit, e cila ishte spërkatur në zona të gjera xhungle nga ushtria amerikane gjatë luftës në Vietnam.

Richard von Weizsäcker ishte administratori kryesor i bordit të drejtorëve të Böhringer gjatë kësaj periudhe, midis 1962 dhe 1966, përpara se të hynte në politikë.