Vrasje e mbetur në tentativë mes djemve shqiptarë në Greqi

243
Sigal

Policia e Selanikut në Greqi, njoftoi sot se ka arrestuar një djalë të ri nga Shqipëria, të cilin e akuzon për vrasje të mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një të riu tjetër.

Krimi ndodhi në shtator në Selanik. I plagosur në këtë ngjarje, mbeti një shqiptar i moshës 32 vjeç. Por policia thotë se aksioni nuk ka mbaruar, pasi në pritën e dhunshme që iu bë të riut, ishte edhe një shqiptar i tretë, 36 vjeç, i cili kërkohet.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 20 shtatorit të këtij viti në qendër të Selanikut. Dy djemtë shqiptarë, 26 dhe 36 vjeç, ndoqën një makinë ku ndodhej 32 vjeçari dhe dy shqiptarë të tjerë.

Kur ky i fundit doli nga makina, mbi të u derdhën të paktën 5 plumba arme zjarri. Për pasojë, 32 vjeçari u plagos në këmbën e djathtë me pasojë dërgimin në spital.

Sot, u arrestua një prej dy të dyshuarve, 26 vjeçari. Kërkimet për të dyshuarin e dytë, po vazhdojnë pas marrjes në pyetje të të parit.