Vrasja e Ivanoviç, ish-deputetja e Kosovës thirrje Vuçiç: Izolo mafian serbe

596
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç teksa komentoi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviçit deklaroi se pas ekzekutimit të Ivan Stamboliçit dhe Zoran Gjingjiçit nuk do kishte menduar kurrë se do ta kishte radhën ndonjë lider tjetër.
“Nuk dua të spekuloj për motivet e vrasjes dhe askush nuk duhet të bëjë ndonjë fushatë ndjekjeje, derisa hetimi të përfundojë. Kemi nevojë për të vërtetën, sepse kjo është një humbje e madhe për ne”, thotë Trajkoviç.
Trajkoviç tha për mediat serbe se vrasja e Ivanoviçit do të mund të faktorizojë mafian në territorin e Kosovës, respektivisht të diktohen rregullat nga ana e mafias, sepse, thotë se veriu i Mitrovicës, sot është zona më e pasigurt ku jetojnë serbët, përcjell Tg.
“Nëse dikur thoshim ‘Veriu i lirë’, ai është larg lirisë. Sidomos pas Marrëveshjes së Brukselit, kur pushteti i vërtetë ushtrohet nga Milan Radojçiç, i cili nga bashkësia ndërkombëtare konsiderohet si njeri i mafias, të nivelit të fuqishëm rajonal. Ai dikton plotësisht jetën në veri, përcakton të mirën dhe të keqen”, thotë Trajkoviç.
Ajo pret nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, me rastin e vizitës së tij në Kosovë, që të tregojë nëse do të izolojë njerëzit që udhëhiqen nga Radojçiç. “Me këtë ai do të na krijonte një përfitim të dyfishtë, do krijonte lirinë për popullin, dhe nga ana tjetër do të hiqej çdo akuzë e mundshme se qeveria serbe, duke mbështetur elemente të tilla kriminale, qëndron prapa asaj që po ndodh në Kosovë, e kjo është dhuna e jashtëzakonshme”, ka thënë Trajkoviç.
Sigal