Vendoset ligji i ri në Hungari, ushtria mund të qëllojë me plumba, gome refugjatët

352
Hungaria ka miratuar një ligj të ri, i cili lejon ushtrinë të qëllojë emigrantët me plumba gome dhe granata lotsjellëse, të ashtuquajturat armë jo vdekjeprurëse për vetëmbrojtje. Ministri i mbrojtjes në Hungari, Istvan Simicsko tha se ligji i ri përmbush të gjitha dispozitat kushtetuese. Partitë opozitare kritikuan ligjin e ri në debatin e zhvilluar në parlament para votimit. “Ky propozim është i papërshtatshëm, pasi është kundër kushtetutës dhe nuk ofron një situatë të qartë ligjore për ushtarët”, tha parlamentari socialist, Tamas Harangozo, shkruajnë mediat.

Komiteti i Helsinkit, një grup për të drejtat e njeriut në Budapest tha se, ligji ishte një akt i panevojshëm që do të nxiste edhe më tej tensionet. “Ndërtimi i gardhit, mobilizimi i mijëra oficerëve e ushtarëve përgjatë kufirit, dhe ligjet që po miratohen në parlament, çojnë në konkluzionin se nuk kemi një zgjidhje tjetër përveçse përdorimit të forcës së ushtrisë, se nuk ka një mënyrë tjetër për t’u përballur me emigrantët. Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe false”, tha përfaqësuesja e komitetit, Marta Pardavi, duke shtuar se Hungaria nuk ishte në luftë me refugjatët. Amnesty International tha se Hungaria po shkel të drejtat e refugjatëve, duke i mohuar të drejtën për të ndjekur një procedurë të rregullt për azil. Grupi i kërkoi gjithashtu autoriteteve të heqin dorë nga ligje të cilat, siç thotë, synojnë të shpëtojnë vendin nga përgjegjësitë kundrejt personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
Sigal