Vdekja e George Floyd/ Donald Trump firmos sot urdhrin ekzekutiv, kërkohet reformim rrënjësor në policinë amerikane

289
Sigal

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkruan të martën një urdhër ekzekutiv për reformat në polici, qëllimi i të cilave, sipas një zyrtari të lartë, është “të investohet më shumë dhe të inkurajohen praktikat më të mira”.

Zyrtari tha se pjesa kryesore do të jetë krijimi i njësive të çertifikimit që do të trajnojë policët me teknikat e çtensionimit dhe standardet e përdorimit të forcës.

Urdhri ekzekutiv kërkon gjithashtu krijimin e një sistemi, në të cilin oficerët e policisë do të bashkëpunojnë me punonjësit socialë kur u shkojnë në ndihmë qytetarëve për ngjarje jo të dhunshme, sidomos në raste që lidhen me shëndetin mendor ose të varësisë nga droga.

Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se Presidenti Trump nuk është dakord që t’i jepet fund asaj që njihet si doktrina e imunitetit me kushte për oficerët e policisë.

Edhe në Kongres po shqyrtohen reforma të gjera të sistemit policor. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin zhvillon sot një seancë me dëshmi nga ana e zyrtarëve ligjzbatues dhe atyre të të drejtave civile.