Vaksinat kundër COVID/ Kina dhe Rusia i shpërndajnë pa publikuar të dhënat e sigurisë dhe efikasitetin

181
Sigal

Vaksinat e para kundër COVID-19 kanë shkuar kryesisht në vendet më të pasura. Tani, disa vende me të ardhura të mesme po marrin dozat e tyre. Shumë vijnë nga prodhuesit kinezë dhe rusë të ilaçeve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona njofton se kritikët vërejnë se këto firma farmaceutike nuk kanë publikuar të dhëna për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave të tyre. .

Një infermiere nga popullsia indigjene ishte personi i parë që u vaksinua në shtetin brazilian të Amazonas.

Doza erdhi nga kompania kineze Sinovac. Testet në Brazil zbuluan se vaksina e saj ishte 78% efikase në parandalimin e rasteve COVID-19 me rrezikshmëri për jetën dhe gati 50% efikase në përgjithësi.

Jo keq, thotë mikrobiologia e Universitetit të Sao Paulos, Natalia Pasternak.

“Ne kemi një vaksinë të mirë. Nuk është vaksina më e mirë në botë, nuk është vaksina e përsosur, por është një vaksinë e mirë”, thotë zonja Pasternak.

Por rezultatet e testeve nga vende të tjera nuk përputhen me këto shifra. Të dhënat e hershme në Turqi tregojnë 91% efikasitet. Në Indonezi, ishte 65%.

Efikasiteti aktual i vaksinës është një mister sepse Sinovac nuk ka publikuar rezultatet e provës klinike. Kjo është shqetësuese, thotë profesori i sëmundjeve infektive nga Universiteti Vanderbilt, William Schaffner.

“Ekziston një thënie e vjetër në punën kërkimore klinike: ‘Tek Zoti kemi besim. Të gjithë të tjerët duhet të japin të dhëna’. Dhe sigurisht që do të dëshironim t’i shihnim të dhënat”, thotë profesor Schaffner.

Një kompani tjetër kineze, Sinopharm, thotë se vaksina e saj është 79% efektive, por as ajo nuk ka publikuar të dhënat e saj.

Sidoqoftë, disa vende po i mirëpresin vaksinat kineze, pjesërisht sepse shumica e vaksinave të tjera janë marrë nga vendet më të pasura.

Instituti Butantan i Brazilit testoi vaksinën Sinovac. Drejtori Dimas Covas thotë se bashkëpunimi me kompaninë kineze ishte veprimi i duhur.

“Sepse nëse nuk do i kishim blerë, nuk do të kishim miliona doza në rafte gati për t’u përdorur”, tha ai.

Të dy vaksinat kineze janë prodhuar duke përdorur teknika që ekzistojnë për dekada. Vaksinat e gripit prodhohen në të njëjtën mënyrë. Por kjo nuk garanton se ato janë të sigurta dhe efektive për të gjithë, thotë profesor Schaffner.

“Ne jemi të sigurt që ato janë efektive në një farë mase. Por do të dëshironim të dinim shumë më tepër se sa efektive janë saktësisht, veçanërisht tek pacientët e moshuar që pa dyshim janë personat që do të preken më rëndë”, thotë ai.

Vaksinat nga kompanitë farmaceutike Moderna dhe Pfizer-BioNTech duket të jenë më efektive sesa ato kineze. Por këto vaksina duhet të mbahen në temperatura tepër të ulëta. Kjo i bën ato të vështira për t’u shpërndarë në shumë pjesë të botës, vëren eksperti i vaksinave në Universitetin Johns Hopkins, William Moss.

“Ato nuk janë vaksina ideale, në veçanti për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thotë ai.

Vaksinat kineze janë të qëndrueshme në temperatura normale frigoriferike.

Po kështu është edhe vaksina Sputnik V e Rusisë. Ashtu si kompanitë kineze, prodhuesit rusë janë kritikuar për shpërndarjen e vaksinës pa publikuar rezultatet e testit.

Por të martën, ata botuan një studim në revistën mjekësore “The Lancet” që tregon se ishte më shumë se 91% efikase. Kjo e vendos atë në nivelin e lartë, thotë zoti Moss.

“Këtë do të donim të shihnim. Mendoj se këto janë të dhëna vërtet inkuruajuese dhe është me të vërtetë mirë për botën të ketë një tjetër vaksinë”, thotë zoti Moss.

Lajme të mirëpritura në Argjentinë, Hungari dhe gjetkë, ku po injektohet tashmë vaksina Sputnik V.