Ukrainë, Alarmi i Poroshenkos: Rusia po përgatitet të na pushtojë

450
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, deklaroi se 9000 trupa ruse janë brenda territorit të vendit dhe paralajmëroi se po përgatiten për një pushtim masiv në të gjithë vijën e përbashkët kufitare. Në fjalën e tij në parlament, Poroshenko e quajti betejën e një ditë më parë mes ushtrisë dhe rebelëve si më të rëndën e muajve të fundit, çka ka vënë seriozisht në dyshim armëpushimin e brishtë.
“Ushtria duhet të përgatitet për rifillimin e sulmit nga armiku në Donbas dhe gjithë territorin. Dje i paralajmëruam edhe partnerët tanë si dhe rikthyem artilierinë e rëndë në vijën e parë, pavarësisht se i kishim tërhequr duke respektuar marrëveshjen e Minskut”.
Ushtria ukrainase njoftoi se forcat rebele, të mbështetura nga Moska janë përpjekur të përparojnë më në perëndim të territorit duke përdorur tanke dhe mbi 1000 luftëtarë, por separatistët mohuan të kenë sulmuar qytezën Marjinka, 15 kilometra nga Donjecku, të kontrolluar nga forcat qeveritare.
Pasi priti homologun ukrainas, Pavlo Klimkin, në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, i bëri thirrje rebelëve të ndërprisnin avancimin.
“Do të bëjmë gjithçka të mundshme për të kontaktuar me palën ruse sa më shpejt, dhe të sigurohemi që separatistët të marrin sinjalin për të ndalur luftimet dhe të sigurojnë armëpushimin”
Luftimet e një dite më parë, në të cilat të dy palët përdoën armatimet e rënda, shkaktuan pesë të vdekur nga ana e ushtrisë ukrainase, ndërsa të plagosurve iu është dhënë ndihma e shpejtë në spitalet më të afërta.
Sigal