Udhëheqësi katalonas i dërgon letër qeverisë spanjolle

482
Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, thotë se qeveria spanjolle ka për ta keqësuar krizën politike lidhur me përpjekjet e këtij rajoni për pavarësi, në se ligjvënësit vazhdojnë të kërcënojnë se do ta anulojnë autonominë që ajo gëzon aktualisht.
Në një letër dërguar sot Senatit, Puigdemont thotë se hapat e propozuar shkojnë përtej masave të arsyeshme dhe ato sjellin “pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme” tek populli i Katalonjës.
“Me qëllim që të zgjidhë atë që qeveria e cilëson një situatë serioze të jashtëzakonshme, do të krijohet një situatë edhe më serioze dhe e jashtëzakonshme, duke marrë kontrollin politik të Katalonjës”- tha zoti Puigdemont.
Senati pritet ta miratojë sundimin e drejtpërdrejtë për Katalonjën gjatë një seance që mbahet të premten.
Qeveria rajonale e Katalonjës njoftoi se udhëheqësi i saj Puigdemont do bëjë një njoftim sot, por pa dhënë hollësi.
Thuhet se ai mund të deklarojë zyrtarisht pavarësinë, bazuar tek referendumi i 1 tetorit, ose të shpallë zgjedhje të menjëhershme për qeverinë rajonale.
Prej disa javësh situata në Spanjë ka qenë e tensionuar, ngaqë të dyja palët kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime. Ekspertët thonë se asnjëra nga palët nuk është e gatshme të angazhohet në një dialog të vërtetë.
Sigal