U nis me tren nga e bija drejt të vëllait, zhduket shqiptari në Itali, mediat ngrenë alarmin

580
Sigal

Një 58 vjeçar shqiptar, i cili ishte nisur për një udhëtim në Itali është zhdukur në mënyrë misterioze që prej së dielës.

Mësohet se Viktor Qosja pasi ka qenë për vizitë tek e bija e tij, u nis me tren për të shkuar pranë familjes së të vëllait në rajonin Viareggio.

Ka qenë vajza e tij që e ka shoqëruar me tren deri në Prato dhe më pas në Altopascio, treni u detyrua të ndalej për shkak të një avarie, ndërsa pasagjerët u transferuan në një autobus.

Ky është vendi i fundit në të cilin është lokalizuar 58-vjeçari shqiptar, për të cilin që nga ky moment nuk dihet asgjë, dhe familja është vënë në kërkimin e tij.

Ai nuk flet italisht dhe mendohet se nuk i ka kuptuar shenjat e stafit hekurudhor dhe as nuk ka qenë në gjendje për të kërkuar ndihmë.

Rasti i Viktor Qosjas është bërë publik mbrëmjen e djeshme në emisionin italian “Chi l’ha Visto”, ku familjarët kërkuan ndihmën e të gjithë atyre që e kanë parë ose kanë informacion mbi vendndodhjen e 58-vjeçarit shqiptar të lajmërojnë autoritetet përkatëse.

Ai është rreth 1.70 m i gjatë, 75 kg, me flokë të bardha dhe sy kafë. Në momentin kur u zhduk, ai kishte veshur pantallona të zeza, një xhaketë blu dhe kishte me vete një valixhe rozë.