Turqia,Erdogan kritika Perëndimit: S’po merrni hapat e duhur në Siri

451
Sigal

TURQI – Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan ka kritikuar sërish veprimet e Perëndimit mbi Sirinë. Duke folur në një konferencë për shtyp, Erdogan sinjalizoi se Turqia nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj për të të mundur presidentin sirian Bashar al Assad. “Ajo që do të ishte idealja për t’u bërë, nuk është realizuar ende.
 
Nëse ne fokusohemi vetëm në trajnimin dhe furnizimin e rebelëve, gënjejmë vetveten. Iraku dhe Siria duhet të luftohen veç e veç. Koalicioni i udhëhequr nga SHBA nuk ka marrë ende hapat e duhura, ndaj u kërkojmë atyre të veprojnë. Pa këto hapa, Turqia do të vazhdojë të mbajë pozitat aktuale”.
 
Deri më tani, Turqia ka ngurruar t’i bashkohet koalicionit kundër ISIS duke u mjaftuar vetëm në aspektin humanitar, me strehimin e 2 milionë sirianëve që nga fillimi i luftës në 2011, si e vetmja provë e angazhimit të saj në rajon.
 
Por, Turqia e ka bërë të qartë se e sheh Assad si një kërcënim më të madh se shtetin islamik dhe ka kërkuar krijimin e zonave të sigurta në Sirinë veriore dhe një zonë ndalim-fluturimi, si kusht për të marrë një rol më aktiv ushtarak në Siri.

Komentet e Erdogan erdhën si përgjigje ndaj presidentit të Kurdistanit, Mosud Barzani, i cili akuzoi vendet perëndimore se nuk kanë siguruar mjaftueshëm forcat kurde të Peshmergas me armë. Nga ana tjetër, forcat perëndimore i shohin kurdët si një gardh mbrojtës ndaj përparimit të mëtejshëm të xhihdadistëve të ISIS.