Turqia i kërkon Trump të rishqyrtojë urdhrin “fyes” për refugjatët

483
Urdhri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ndalimin e hyrjes së refugjatëve në SHBA, është “fyes”, tha zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus.
Është ky reagimi i parë i Ankarasë për urdhrin e diskutueshëm.
Kurtulmus i bëri thirrje Trumpit të rishqyrtojë vendimin, i cili, siç tha, është motivuar nga islamofobia, raporton AFP.
“Është e pamundur të pranohet kjo. Politika duhet të rishqyrtohet”, tha Kurtulmus, i cili është edhe zëdhënës kryesor i Qeverisë turke.
Të premten, Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që u ndalon hyrjen në SHBA të githë refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Urdhri, tash për tash, vlen për 90 ditë.
Trump e ka mbrojtur këtë masë, duke thënë se ajo do ta bëjë SHBA-në të sigurt nga “terroristët radikalë islamikë”.
Kurtulmus tha se është “jashtëzakonisht fyese që një vendim i tillë është marrë në një vend si SHBA-ja, që njihet si komb me fe dhe grupe të ndryshme etnike”.
Turqia strehon 2.7 milionë refugjatë sirianë, që kanë ikur nga lufta gati gjashtëvjeçare në vendin e tyre.
Sigal