Turqia ashpërson masat anti-Covid

238
Sigal

Ministria e Brendshme turke ka parashikuar vendosjen e një karantine të pjesshme gjatë fundjavës dhe kufizime të funksionimit të restoranteve dhe kafeneve, të cilat së bashku me parukeritë do të munden të punojnë nga ora 7.00 në 17.00, ndërsa në restorante do të lejohen vetëm shërbimi “take away” (merre me vete). Kinematë do të mbyllen deri në fund të vitit, dhe shkollat fillore do ta zhvillojnë mësimin në distancë.

“Po përballemi me një situatë mjaft serioze. Numri i rasteve dhe vdekjeve kanë arritur një nivel shqetësues, duke filluar me Stambollin, kështu që duhet të jemi më të kujdesshëm”, është shprehur Erdogan.

Turqia, me rreth 83 milionë banorë, raportoi të martën 103 vdekje të reja nga COVID 19, hera e parë që prej fundit të muajit prill që numri i jetëve të humbura brenda 24 orësh është më i lartë se 100. Deri tani, në këtë vend kane humbur gjithsej jetën nga koronavirusi 11.700 persona, një shifër kjo relativisht e ulët kur krahasohet me vendet me popullsi të ngjashme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka vlerësuar përgjithësisht Ankaranë për reagimin e saj ndaj pandemisë. Mbajtjen e detyruar të maskës nëpër rrugë, autoritetet turke e kishin vendosur në qytetet e mëdha që nga korriku, ndërsa në shkallë vendi hyri në fuqi në muajin shtator.