Turqi, Analistët: Fuqizimi i Erdogan do të theksojë ndarjet shoqërore

508
Fitorja absolute e partisë me rrënjë islamike në Turqi, AKP, do të rrisë pushtetin e Presidentit të vendit Rexhep Tahip Erdogan dhe do të theksojë ndarjet shoqërore.
Kështu mendojnë analistët, të cilët rezultatin e Partisë për Zhvillim dhe Unitet e konsiderojnë një fitore surprizë.
Profesor, Cengiz Aktar, ekspert i marrëdhënieve Turqi-BE në Universitetin Bahçesehir të Stambollit shprehet se zgjidhja e problemit te sigurisë pas sulmeve të njëpasnjëshme në vend do të jetë e vështirë për qeverinë dhe se fitorja në këtë rast është një kupë me helm.
“Nëse Erdogan do të bëjë realitet ëndrrën e tij për të ndryshuar sistemin nga parlamentar në presidencial, si do të zgjidhë ai çështjen e kurdëve dhe problemet ekonomike, sitemin arsimor apo edhe probleme të tjera?
Unë mendoj se kjo fitore është një dhuratë e helmuar për AKP dhe në kohën e duhur do të ndërhyjë edhe komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu ka shumë çështje, si lufta kundër Shtetit Islamik dhe politikat e vendit me Sirinë. Mendoj se kjo qeveri do të ketë vështirësi në zgjidhjen e këtyre problematikave”, thotë Aktar.
Kurse qytetarët, një ditë pasi hodhën votën e tyre, janë të ndarë në qëndrimet e tyre në lidhje me fitoren e partisë së themeluar nga Erdogan.
“Turqit i dhanë një shans opozitës në zgjedhjet e 7 qershorit. Partitë opozitare morën 59 përqind të votave në ato zgjedhje, por nuk arritën të shfrytëzojnë mundësinë për formimin e një koalicioni kundër AKP-së së Erdogan” , thotë Sencar Ozer, i cili shprehet i bindur se Presidenti do ti bëjë ndryshimet kushtetuese për të realizuar ambicien e tij.
“Unë mendoj se qeverisja njëpartike është diçka pozitive dhe gjithmonë ka pasur rezultate të mira në ekonomi”.
“Më vjen shumë keq, nuk ka më lëvizje të majta në vend”, thotë Nermin Dunay, përkrahës i partisë opozitare CHP.
“Asgjë nuk do të ndryshojë këtë situatë dhe unë mendoj se përleshjet do të vijonë në juglindje të vendit, s’ka asnjë reflektim nga politika se kjo situatë mund të ndryshojë”, thotë një rezident i Dejabarkir.
Sigal