Tsipras, Merkel e varufakis, kanë shije të ndryshme në Berlin

230
Kriza greke kaq e përfolur kohët e fundit duket se po lë shije kudo në Europe. Një emigrant grek që jeton nga 1984 në Gjermani, pronar i një restoranti në Berlin, në vend që të trishtohet për situatën e vendlindjes së tij zgjedh një mënyrë interesante për të tërhequr klientët.
George Chrissidis po ofron në restorantin e tij një menu që quhet “Drama Greko-Evropiane”. Pjatat e ofruara kanë emra të tillë si “Grexit e Schaeuble”, frymëzuar nga Ministri i Financave i Gjermanisë, një gatim me mish qingji, djathë dhe perime.
Pjata “Varufakis” është me mish viçi, djathë të bardhë dhe piper të kuq djegës për t’ia përshtatur temperamentit të ish-Ministrit grek të Financave.
“Tsipras i Dashur” ka në recetë një djathë as të butë, as të fortë që reflekton natyrën jo të vendosur të kryeministrit grek.
Patjetër që sdo të mungonte edhe një pjatë për “zonjën e hekurt” kancelaren Merkel duke u nisur nga roli i saj në negociatat për zgjidhjet e krizës.Ajo quhet “Angie e ëmbël”, një ëmbëlsirë me arra dhe akullore me vanilje, shumë e pëlqyer nga klientët.
Me këtë menu, Chrissidis mendon të kënaqë të gjithë klientët gjatë gjithë muajit të gushtit.