Trump përcjell mesazhe uniteti

427
Ndoshta mund të jetë Presidenti i zgjedhur që ka përçarë më shumë amerikanët, por në mesazhin e dhënë në vigjilje të inaugurimit të tij, Donald Trump përcolli mesazhe uniteti.
Duke folur para mbështetësve të tij gjatë një koncerti të zhvilluar në Uashington, miliarderi njujorkez premtoi ndryshime të mëdha.
“Ne do të bashkojmë vendin tonë! Do ta bëjmë Amerikën një vend të madh dhe me mundësi për të gjithë njerëzit tanë, pa përjashtim, për këdo në vendin tonë dhe kjo përfshin edhe ata që jetojnë në skajet më të largëta”, tha Trump.
Presidenti i zgjedhur u rikthye pas në kohë, pikërisht në ditët e fushatës, kur shumë dyshonin në suksesin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.
“Ata na kishin harruar. Gjatë fushatës, unë ju quaja të harruarit, burra dhe gra të harruar. Tani nuk jeni më të tillë”, tha ai.
Trump u zotua për punësimin, fuqizimin edhe më tej të ushtrisë dhe përforcimin e kufirit.
“Do të bëjmë të gjitha ato që nuk janë bërë për vendin tonë për shumë dekada. Ju premtoj se do të ndryshojmë! Ju premtoj!”, deklaroi Presidenti i zgjedhur.
Trump u shfaq në këtë koncert prezantues të administratës së tij me në krah Melaninë. Së shpejti Zonja e Parë e SHBA, iu drejtua shkurtimisht mbështetësve.
“Nesër nisim nga puna”, ishte mesazhi i saj.
Sigal