Trump në Poloni, thirrje Rusisë që të ndalë aktivitetet destabilizuese

492
Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Rusisë të ndalë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë. Gjatë një fjalimi në Poloni, ai i kërkoi gjithashtu Moskës që t’i japë fund mbështetjes së saj për “regjimet armiqësore”. Ai përmendi konkretisht Sirinë dhe Iranin. Presidenti Trump i bëri thirrje Rusisë të bashkohet me “komunitetin e vendeve të përgjegjshme” në luftën kundër armiqve të përbashkët dhe për mbrojtjen e qytetërimit. Thirrja e zotit Trump për Rusinë vjen një ditë para takimit të tij të parë ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin. Zoti Putin aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014, aneksim që SHBA nuk e njohin. Rusia mbështet gjithashtu elementet separatiste që veprojnë në Ukrainë. Presidenti Trump foli përpara mijëra polakëve nga sheshi Krasinski, vendi i kryengritjes së Varshavës kundër pushtimit nazist. Më shumë se 150,000 polakë gjetën vdekjen gjatë luftës për të hequr shtypjen naziste. Presidenti tha se Evropa nuk përballet më me kërcënimin e komunizmit, por Perëndimi po lufton tani me “kërcënime orgurzeza” të një natyre të re. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë vuajtur nga akte të shpeshta terrorizmi. “Ne do të përballemi me ta dhe do të fitojmë,” tha ai. Presidenti përdori shprehjen “terrorizëm radikal islamik”, që ai e përdorte shpesh gjatë fushatës, por që nuk e përmendi para një samiti të udhëheqësve arabë në Arabinë Saudite gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit në muajin maj. Ai tha se grupet e ekstremistëve kërcënojnë ‘mënyrën perëndimore të jetesës’. Tërthorazi, ai mori në mbrojtje urdhrin ekzekutiv të administratës së tij që kufizon emigracionin nga disa vende me shumicë myslimane. Gjatë fjalimit në Varshavë, presidenti Trump tha se kufijtë e Shteteve të Bashkuara do të jenë gjithmonë të mbyllura për terrorizmin dhe ekstremizmin. “Ne nuk mund t’i pranojmë ata që refuzojnë vlerat tona dhe shfrytëzojnë urrejtjen për të arsyetuar dhunën kundër të pafajshmëve”, tha ai. Presidenti Trump, tha më herët të enjten se Shtetet e Bashkuara po punojnë përkrah Polonisë për t’u përballur me “veprimet dhe sjelljet destabilizuese” të Rusisë, ndërsa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj paqes dhe sigurisë në Evropën lindore dhe qendrore. Ai i bëri komentet në krah të presidentit polak, Andrzej Duda, në fillim të vizitës së tij në Evropë dhe vlerësoi aleancën e NATO-s si “thelbësore për të penguar konfliktet”. Presidenti amerikan kritikoi disa vende anëtare të NATO-s që nuk po shpenzojnë sa duhet për ushtritë e tyre, ndërsa veçoi Poloninë si një nga aleatët që sipas tij, po përmbush detyrimet e saj. Më shumë se 3 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Poloni si pjesë e veprimeve të NATO-s për t’ju kundërpërgjigjur agresionit rus në Ukrainë. Udhëheqësi amerikan përballet me shqetësimet e vazhdueshme kudo në kontinent rreth deklarimeve të mëhershme politike të tij, përfshirë përkushtimin ndaj NATO-s, tërheqjen nga marrëveshja e Parisit mbi klimën dhe lavdet që i kishte thurur në të kaluarën presidenti rus Vladimir Putin.
Sigal