Trump dhe komunikimet me Rusinë

606
Sigal

Michael Flynn, këshilltar i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për sigurinë kombëtare, thuhet se ka pasur disa biseda telefonike me ambasadorin e Rusisë në SHBA më 29 dhjetor, të njëjtën ditë që Presidenti Barack Obama dëboi 35 diplomatë rusë dhe vendosi sanksione të tjera si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve, që mesa duket ndërmori Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një zyrtar i lartë i SHBA tha të premten se administrata Obama është në dijeni të thirrjeve telefonike dhe komunikimeve të tjera të shpeshta ndërmjet zotit Flynn dhe ambasadorit të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

Zëdhënësi i zotit Trump, Sean Spicer, u tha gazetarëve të premten se zoti Flynn dhe ambasadori komunikuan më 28 dhjetor dhe diskutuan rreth një telefonate të mundshme mes presidentit të zgjedhur dhe presidentit rus Vladimir Putin pas inaugurimit të zotit Trump më 20 janar. Zëdhënësi tha gjithashtu se ata shkëmbyen me tekst urime për Krishtlindjet.

Diskutimet ndërmjet administratave që përgatiten të vijnë në fuqi dhe qeverive të huaja nuk janë të pazakonta, por diskutimet e shpeshta pikërisht në ditën e masave amerikane të kundërpërgjigjes do të ngrinin pikëpyetje nëse zoti Flynn dhe ambasadori kanë diskutuar rreth një reagimi të mundshëm të Rusisë.

Një ditë pas sanksioneve dhe dëbimit të dhjetëra zyrtarëve rusë nga SHBA, zoti Putin tha se ai nuk kishte në plan të hakmerrej. Presidenti i zgjedhur Trump, i cili e ka lavdëruar në mënyrë të përsëritur zotin Putin, e përshëndeti vendimin e presidentit rus.

Për bisedat telefonike me ambasadorin e Rusisë u njoftua për herë të parë të enjten nga David Ignatius i gazetës Washington Post, i cili shkruante se bisedat mund të bien në kundërshtim me ligjin Logan. Ky është një ligj mëse 200-vjeçar që i ndalon shtetasit amerikanë të përpiqen për të ndikuar te qeveritë e huaja të cilat janë kanë konflikte me SHBA.

TRUMP DHE AKUZAT NDAJ RUSISË

Në një seri komentesh që bëri sot në Twitter, presidenti i zgjedhur Donald Trump premtoi se brenda 90 ditëve do të nxjerrë një raport rreth akuzave se Rusia ka ndërmarrë sulme kibernetike.

Duke cituar pohimet ruse se ata nuk kanë ndonjë informacion, zoti Trump ua hedh fajin operativëve politikë, që i quan “të neveritshëm”, si dhe “kundërshtarëve politikë,” dhe “njerëzve të zbulimit” për sajimin, siç thotë ai, dhe publikimin e raporteve që përmbajnë informacion kompromentues rreth tij.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se sulmet kibernetike ruse ndikuan në rezultatet e zgjedhjeve – pretendim që zoti Trump tha se ishte i vërtetë gjatë një konference shtypi të mërkurën.

Ai mohoi gjithashtu me forcë një raport të pakonfirmuar se Rusia zotëron informacione personale kompromentuese rreth tij.