Trepça regjistrohet si shoqëri aksionare

337
Sigal

Ministrat e Qeverisë së Kosovës, Endrit Shala dhe Valdrin Lluka kanë treguar të premten se kombinati metalurgjik “Trepça” është regjistruar si shoqëri aksionare dhe tashmë ky gjigant i takon edhe zyrtarisht shtetit dhe popullit të Kosovës.

Kombinati metalurgjik “Trepça” nga sot do të ketë epitet tjetër. Ky gjigant tash e tutje i takon edhe zyrtarisht shtetit dhe popullit të Kosovës.
Regjistrimin e Trepçës e ka bërë të ditur ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala , i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, dorëzuan certifikatën e regjistrimit të Trepçës tek ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
“Tashmë gjiganti metalurgjik “Trepça” i takon edhe zyrtarisht shtetit dhe popullit të Kosovës ashtu siç i ka takuar gjithmonë. Urime qytetarë të Kosovës dhe punëtorëve të Trepçës”, ka shkruar Shala.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se tashmë Trepça është regjistruar si shoqëri aksionare dhe ky është moment historik.
“Kemi shumë punë për të bërë, por ky hap historik definitivisht do të lehtësoj çdo proces tash e tutje dhe për këtë ndjehem i lumtur. Dua të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë proces, përfshirë të gjithë anëtarët e bordit të Trepçës, menaxhmentin, sindikatën, kolegët në qeveri dhe veçanërisht deputetët e parlamentit të Kosovës”, ka thënë Lluka.
Kujtojmë se regjistrimi i “Trepçës”, pason miratimin nga Kuvendi i Kosovës javë më parë të statutit të “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”./Monitor.al/.