Tre gishtat dhe fanella me mbishkrime nacionaliste të lojtarëve serb, reagon Kosova

247
Sigal

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se do të bëjë një ankesë në UEFA për shkak të simboleve dhe mbishkrimeve nacionaliste në fanellat e lojtarëve serbë gjatë festës së fitores në Portugali dhe kualifikimit në Kupën e Botës.

Pas fitores ndaj Portugalisë, Nemanja Radonjic, Stefan Mitrovic dhe Dushan Vlahovic u fotografuan në fushën e stadiumit Da Luz me tre gishta të ngritur, ndërsa në bluzat e veshura nga Radonjic dhe Vlahovic shkruheshin fjalët “Veseli se srpski rode”. Këto janë vargjet e një kënge të Danica Crnogorçevicit, në të cilën përmendet Kosova.

“FFK-ja do të bëjë ankesë në UEFA për shkak të lëvizjeve të futbollistëve serbë, të cilët u shfaqën me fanella me mbishkrim irredentist dhe nacionalist pas ndeshjes me Portugalinë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Kënga përmend qytete në dy shtetet fqinje të Serbisë, Prizrenin në Kosovë dhe Ruminë në Mal të Zi dhe kjo është e papranueshme, provokime dhe gjeste të tilla nacionaliste nuk janë në përputhje me vlerat evropiane, por janë vetëm pjesë e ëndrrave dhe mendimeve shoviniste dhe pushtuese serbe ”, thuhet në sqarimin shtesë.

Por, sipas UEFA-s, FFK ka gabuar adresën e ankesës, pasi me këtë punë nuk ka kompetenca të merret UEFA, por FIFA. “Për çfarëdo çështje disiplinore në lidhje me kualifikimet për Kupën e Botës në Evropë, ju kërkojmë t’i drejtoheni FIFA-s”, ka deklaruar UEFA.