Tre avokatë braktisin ish-kryeministrin Gruevski

485
Sigal

Tre avokatë të ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski kanë hequr dorë nga përfaqësimi i klientit të tyre përpara gjykatës.

Gjykata penale e Maqedonisë vendosi të hënën që i pandehuri Gruevski, ish-kryetari i VRMO-së që prej një muaji strehohet në Hungari si azilant politik, të mbrohet nga nja avokat i caktuar nga shteti.

Tre avokatët thanë në seancat e shkuara se ata nuk mund të veprojnë më në interes të klientit të tyre, duke shprehur dyshime rreth paanshmërisë së trupit gjykues.

Gruevski po hetohet nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë për një sërë akuzash, mes të cilave edhe për nxitje të dhunës në komunën Qendër gjatë zgjedhjeve të vitit 2013.

Për ish-shefin e qeverisë maqedonase, të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij janë procese të montuara për qëllime politike, ndërsa organet e gjyqësorit kontrollohen nga pushteti.

Në deklaratat e tij nëpërmjet rrjeteve sociale, Gruevski, një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend për një dekadë, ka theksuar se ai është përndjekur rregullisht që kur u detyrua të japë dorëheqjen në janar të vitit 2016.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase ende nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet partnere në Hungari për ekstradimin e Gruevskit, me gjithë apelin ndërkombëtar se ish-zyrtari i lartë duhet të vuajë dënimet e dhëna nga gjykatat e vendit.