Tragjedia në Bejrut, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Të trishtuar për këtë ngjarje, jemi pranë popullit libanez

335
Sigal

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh ngushëllime për ngjarjen tragjike të ndodhur në Bejrut të Libanit, ku nga shpërthimi i fuqishëm në port u shkatërruar kryeqyteti, duke lënë qindra të vdekur e mijëra të plagosur.

Ambasadorët Shqiptarë theksojnë se “Humbjet e jetëve, plagosjet, por edhe dëmet e mëdha materiale në qytetin e kryqëzuar nga dhimbja, janë në vëmendjen tonë, duke na afruar edhe më shumë me Libanin në këtë moment shumë të vështirë të përballjes me tragjedinë”.

Mesazhi i plotë:

Ngjarja e dhimbshme e 4 gushtit në Bejrut, që ka shokuar në përmasat e saj tragjike gjithë opinionin botëror, po përcillet me shumë shqetësim dhe solidaritet nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Humbjet e jetëve, plagosjet, por edhe dëmet e mëdha materiale në qytetin e kryqëzuar nga dhimbja, janë në vëmendjen tonë, duke na afruar edhe më shumë me Libanin në këtë moment shumë të vështirë të përballjes me tragjedinë.

Lidhjet e vjetra historike që datojnë të ndritura me udhëheqjen e Libanit nga Guvernatori Vaso Pasha, një rilindas i spikatur dhe i vërtetë, e vazhdojnë me komunikime e solidaritet në periudhat e konflikteve të përgjakshme që kanë shoqëruar këtë vend përgjatë dekadave, na bëjnë të ndjehemi me afër shpirtërisht në këto ditë tepër të vështira ndaj të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, të aksidentuarve por edhe gjithë popullit të Libanit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë në të cilin bëjnë pjesë mjaft diplomatë që kanë shërbyer në Liban, por edhe mjaft të tjerë të cilët kanë realizuar misione diplomatike atje, ndjehet i trishtuar për gjithshka çfarë ndodhi pasditen apokaliptike të 4 gushtit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh solidaritetin më të madh me popullin e Libanit mik, shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave dhe uron që kjo tragjedi t’i lerë shumë shpejt vendin punës rindërtuese për t’i dhënë Bejrutit shkëlqimin e merituar.