Tokio: Arrestohet taksisti sepse përplasi një pëllumb

34
Sigal

Disa mund t’i kenë fobi, disa mund t’i adhurojnë, disa mund t’i përdorin për gara e t’i blejnë për 1,6 milion euro, të tjerë mund të tentojnë t’i përplasin me makinë. Këta të fundit, përfundojnë të arrestuar, të paktën në Tokio.

Autoritetet kanë arrestuar Atsushi Ozawa, 50 vjeç me profesion taksist, sepse “përdori makinën për të goditur një pëllumb të zakonshëm, i cili nuk është specie gjahu,” tha një zëdhënës i policisë së Tokios për Agence France-Presse.

Ai drejtoi makinën drejt një tufe me pëllumba. I dyshuari i tha policisë se e kishte futur makinën te zogjtë sepse “rrugët janë për njerëzit. U takon pëllumbave të shmangin makinat,” sipas mediave lokale.

Një numër i kufizuar i pëllumbave të gjahut mund të gjuhen legalisht në Japoni, por pëllumbat e qytetit mund të vriten vetëm nëse shkaktojnë shqetësim – si për shembull dëme te të mbjellat dhe bagëtitë – dhe vetëm me miratimin e autoriteteve lokale.

Një veteriner kreu një ekzaminim dhe përcaktoi shkakun e ngordhjes së pëllumbit si shok traumatik. Duke pasur parasysh punën e 50-vjeçarit si shofer profesionist, policia i përshkroi veprimet e tij si “shumë keqdashëse” dhe dha urdhër për arrestimin e tij.