Thellohet kriza politike në Zimbabve

589
Presidenti shumëvjeçar i Zimbabve, Robert Mugabe, nuk e përfilli afatin që skadonte sot në mesditë për të dhënë dorëheqjen nga posti. Ai përballet tani me një proces shkarkimi. Zoti Mugabe e bëri të qartë në një fjalim televiziv të dielën se ai nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.
Miliona njerëz ndoqën fjalimin e transmetuar në radio dhe televizion të dielën, duke pritur të festonin fundin e sundimit autokratik 37 vjeçar të zotit Mugabe.
Ata u zhgënjyen dhe disa prej tyre derdhën lot kur e dëgjuan të thoshte se do të drejtonte kongresin e partisë ZANU-PF muajin e ardhshëm.
“Isha duke pritur dorëheqjen e tij. Do të isha i lumtur nëse ai do të largohej me dinjtitet, pavarësisht nga të gjitha gjërat që ka bërë. Gjeneralët do ta linin të largohej paqësisht dhe me dinjitet, por ai nuk pranoi, është shumë kokëfortë”, thotë Nyasha, banore e Zimbavesë.
Gjatë fjalimit, Mugabe nuk përmendi dorëheqjen dhe as nuk dukej se po e merrte seriozisht ndërhyrjen ushtarake ndaj krizës politike në vend.
“Ai duhet të thoshte ‘Unë po jap dorëheqjen si President i vendit’, por tani ne ndjehemi të poshtëruar! Ai nuk tha asgjë, përveç se dëshironte të korrigjonte gabimet e kaluara, që nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen. Ai nuk tha asgjë për të ardhmen”, thotë Caroline Hlatshwayo.
Një analist në kryeqytetin e Zimbavesë, Harare thotë se refuzimi i zotit Mugabe për të dhënë dorëheqjen është lëvizja e tij e fundit.
“Ky është një refuzim për t’i dhënë legjitimitet pasardhësit të tij dhe një përpjekje për të krijuar një situatë në të cilën ai detyrohet të largohet dhe pastaj të heqë çdo pretendim se ajo që ka ndodhur nuk është një përpjekje për grushtshteti. Ai shpreson të marrë mbështetje rajonale dhe nga Bashkimi Afrikan, sepse Bashkimi Afrikan ka dispozita të qarta sipas të cilave ata nuk tolerojnë grushtshtete në asnjë vend afrikan”, thotë Derek Matyszak nga Instituti i Studimeve për Sigurinë.
Mugabe udhëhoqi përpjekjet e Zimbabvesë për pavarësi nga Britania, por që kur u bë udhëheqës i vendit më 1980, ai e bëri atë një nga vendet më të varfra në botë. Udhëheqja e tij është përfshirë nga autoritarizmi dhe nga korrupsioni.
Lufta e tij e pamëshirshme për të mbajtur pushtetin përfundimisht çoi në konflikte brenda partisë së tij. Kriza e fundit politike në Zimbabve shpërtheu rreth dy javë më parë pasi Mugabe shkarkoi zëvendësin e tij dhe ish-aleatin Mnangagwa në atë që shihet si një përpjekje për të mbështetur ambiciet politike të bashkëshortes së tij.
Disa anëtarë të partisë në pushtet thonë se fillimi i procedurës së shkarkimit nuk do të çojë në dorëheqjen e menjëhershme të zotit Mugabe dhe mund të kërkojë disa ditë për të përfunduar.
Sigal