“The Economist”: Trump president, një nga 10 rreziqet kryesore për botën

507
“Nëse Donald Trump zgjidhet president i SHBA-ve, ky do të jetë një nga 10 rreziqet kryesore me të cilat do të përballet bota”. Kështu shkruhet në një studim të Njësisë së Inteligjencës, organ i prestigjozes “The Economist”. Sipas kësaj kompanie, që merret me studime, Trump mund të trazojë ekonominë globale dhe të shtojë rreziqet politike e të sigurisë në SHBA. Megjithatë, studimi thotë se, ka pak mundësi që ai të mposhtë Hillary Clintonin në zgjedhje, e cila nga studimi konsiderohet tashmë si kandidatja zyrtare demokrate për presidencën. Në listën e përpiluar nga Njësia e Inteligjencës, zgjedhja e Trumpit president përbën një rrezik të barabartë me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja apo një përplasje të armatosur në detin e Kinës jugore. Ndërkohë, rreziqe më të mëdha janë ngadalësimi i fortë ekonomik i Kinës dhe ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë dhe Siri, që i hapin rrugën një lufte të re të ftohtë.
“Trump ka dhënë shumë pak detaje për politikat e tij dhe këto i ndryshon vazhdimisht. Ai ka qenë shumë armiqësor ndaj tregtisë së lirë, sidomos paktit NAFTA dhe e ka cilësuar vazhdimisht Kinën si një manipuluese të valutës”, shkruhet në studimin e vlerësimit të rrezikut global, ku Trumpi president barazohet gjithashtu me rrezikun në rritje të terrorizmit ndaj ekonomisë globale. “The Economist” i vlerëson rreziqet në një shkallë nga 1 në 25 dhe Trump është në nivelin 12″.
Sigal