Tërmeti në Romë, gjeologët shpjegojnë lëkundjen e fortë dhe zhurmën

325
Sigal

Një goditje e fortë-si shpërthim bombe-zgjoi herët banorët e Romës, ndër ta edhe Maurizio Pignonen, 49 vjeç, gjeolog i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV).

‘Banoj nga pjesa e poliklinikës Gemelli, zona në veri të Romës, pra aty ku lëkundja u ndje më tepër. Hapa menjëherë kompjuterin, duke u lidhur me sitin tonë. Nga të dhënat, pas një minute e gjysmë, pashë që magnituda lëkundej midis 3.2 e 3.7. Atëherë u qetësova’, thotë Pignone.

Po pse të gjithë e dëgjuan atë lëkundje sikur ishte shpërthim eksplozivi?

‘Tërmeti, i përmbledhur në ekstrem, nuk është gjë tjetër veçse çlirim energjie, tamam si bombë. Dhe nëse epiqendra është në thellësi relativisht të vogël, si sot në mëngjes, rreth 10 kilometra, lëkundja mund të shoqërohet nga një zhurmë e mbytur dhe e dhunshme, mjaft e ngjashme me një shpërthim’.

Zona në të cilën ndodhi tërmeti i sotëm është zonë me aktivitet sizmik të vogël. Këtë e thotë drejtori i Observatorit Kombëtar të Tërmeteve në INGV, Salvatore Stramondo: ‘Ky tërmet bën pjesë në një kategori dhe shkallë magnitude në të cilën çdo vit janë me dhjetëra lëkundje sizmike në territorin tonë’.

Stramondo i hedh një sy historisë tërmeteve në zonën e Romës: ‘Duhet të zhvendosemi drejt veriut, në zonën e Palombara Sabina, e të kthehemi pas në kohë, më 1901, për të gjetur një lëkundje sizmike të rëndësishme, të magnitudës 5.2, në rrethinat e epiqendrës së tërmetit të sotëm’.

‘Po të shohim tërmetet nga 1985 deri sot, vihet re që ka shumë pak lëkundje të magnitudës së ulët, ndërsa po të zhvendosemi në lindje, drejt komunave Guidonia e Tivoli, lëkundjet janë më të shpeshta’, thotë Pignone.

Katalogu Parametrik Italian nuk evidenton tërmete të rëndësishëm në zonat pranë epiqendrës së tërmetit të sotëm. Rrezikshmëria sizmike në zonën romane përcaktohet si ‘mesatare’ sipas modelit të referimit për Italinë, por bëhet më e lartë me zhvendosjen pak kilometra në lindje.