Tërmeti i pazakontë në Indonezi, përpiu mijëra shtëpi brenda Tokës

520
Sigal

Numri i njerëzve që gjetën vdekjen nga tërmeti i pasuar nga një cunam në Indonezi ka arritur 1 347, thonë zyrtarët e reagimit ndaj katastrofave, cituar nga BBC.

Deri të hënën, shifra ishte 844, por numri u rrit ndjeshëm të martën, ndërsa ende dyshohet për viktima nën rrënoja.

Në këtë zonë ka ndodhur i ashtuquajturi procesi i “lëngëzimit”, një fenomen ku rëra e ngopur me ujë dhe balta marrin karakteristikat e një lëngu gjatë goditjes intensive të një tërmeti.

Kjo ndodh kur një tërmet ka rritur presionin e ujit në tokë të ngopur dhe grimcat e tokës humbasin kontaktin me njëri-tjetrin, duke e bërë tokën – sidomos tokën ranore – të veprojë si lëng.

Imazhet satelitore të rrethit të Petobos, në jug të aeroportit të Palut, treguan një fushë tjetër të madhe ku ndërtesat janë fshirë nga faqja e dheut.

Nga ana tjetër, në rrethin e Sigi, 34 fëmijë u gjetën të vdekur nën mbeturinat e cunamit. Ata të gjithë po ndiqnin një kamp të krishterë, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq Indonesian Aulia Arriani.