Tentoi të vriste Renis Fejzollin në Athinë, arrestohet i riu shqiptar (EMRI)

24
Sigal

Policia greke ka vënë në pranga shqiptarin e kërkuar Marios Tralo, 20 vjeç nga Durrësi. Tralo është arrestuar mbrëmjen e djeshme pasi ndaj tij rëndonin akuzat “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Tralo dyshohej se fshihej në Angli, pasi ishte vërtetuar largimi i tij në Shqipëri pas ngjarjes, por realisht policia ka arritur ta kapë në Athinë.

Rreth orës 03:30 të 2 shkurtit nga një automjet është hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme ndaj Renis Fejzollit, i cili ndodhej në një park në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë. 34-vjeçari u transportua në spital i plagosur me dy plagë arme zjarri, ndërsa policia gjeti në vendngjarje 3 gëzhoja, 1 fishek dhe 1 thikë. Hetimet e policisë zbuluan se Fejzolli i kishte borxh një shumë prej 1000 euro Marios Tralo me të cilin ishin shokë, ndërsa ky i fundit kishte përhapur thashetheme në rrethin e tyre, të cilat e kishin prekur Fejzollin. Ata kanë komunikuar në telefon pasditen e 1 shkurtit dhe e kishin lënë të takoheshin për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa Fejzolli e priste Tralon në parkun ku ndodhi ngjarja, ky i fundit është shfaqur me një automjet “Toyota Yaris” dhe pasi ka hapur xhamin, ka shtënë me armë drejt tij.

Bashkë më Tralon ne automjet kanë qenë edhe Dushku e Zisis. Në 15 shkurt policia greke ka zbuluar të parkuar në rrugen “Iraklideon 69” në Athinë motorrin e markës “Kymco Agility City” në pronësi të Marios Tralo dhe brenda tij është gjetur 1 pistoletë tip “Glock” me një krehër me dy fishekë. Policia greke nisi kërkimet për Tralon, Dushkun e Zisis por deri tani ka vënë në pranga vetëm të parin. Marios Tralo rezulton me precedentë penalë për “drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme”, “fyerje”, “dëmtim pasurie”, “shkelje të ligjit mbi armët”, “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” dhe “shkelje të kodit të qarkullimit rrugor”.

  • foto galeri