Tensionet – Presidenti Trump i hapur të takohet me Kim Jong Un

466
Presidenti Donald Trump deklaroi se do të ishte i hapur të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, në rrethanat e duhura.

Në një intervistë të hënën për “Bloomberg News” zoti Trump tha se “nëse do të ishte e përshtatshme për mua që ta takoja, do ta bëja, do të isha absolutisht i nderuar që ta bëja”.

Tensionet me Korenë e Veriut janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike në javët e fundit, ndërkohë që agjencitë amerikane dhe agjenci të tjera të zbulimit kanë sugjeruar se ky vend po përgatitet për një provë të mundshme bërthamore.

Administrata e presidentit Trump ka thënë se lidhur me Korenë e Veriut të gjitha opsionet janë në tavolinë, duke përfshirë dhe një ndërhyrje ushtarake.

Presidenti Trump thotë se “shumica e politikanëve nuk do ta thoshin kurrë se do të ishin të gatshëm të takoheshin me Kim Jong Un. Por gjatë intervistës ai tha: “Po ju them, se në rrethanat e duhura, do të takohem me të. Kemi pra, lajme të reja”, tha ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të dielën në një intervistë se ai “nuk do të ishte i kënaqur” nëse Koreja e Veriut do të kryente një provë tjetër bërthamore. Komentet e tij pasojnë provën me raketë me rreze të mesme veprimi të Phenianit javën e kaluar.

Në intervistën e transmetuar në emisionin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS, presidenti tha se as ai dhe as presidenti kinez Xi Jinping nuk do të ishin të kënaqur nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të bënte një provë të gjashtë bërthamore.

Por presidenti Trump kundërshtoi idenë se Kina, aleati më i afërt i Koresë së Veriut, po shfrytëzon krizën për ta vënë atë në provë.
Sigal