Tensionet në Veri, Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Po tenton të rrëzojë aleancat me ndërkombëtarët

119
Sigal

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka lëshuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me tensionet në veri të vendit dhe përplasjet me ndërkombëtarët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj u shpreh se Kurti dhe Osmani, në më pak se tre vjet kanë kthyer përmbys sukseset e arritura më parë.

Haradinaj kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?

Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë. Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia ndërrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.  Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, shkroi Haradinaj në Facebook.