Tension në kufi në Kroaci, Austri dhe Greqi, shkak kriza e emigrantëve

441
Turma emigrantësh kalojnë në Kroaci nga Serbia, teksa radhët e gjata jashtë kampit tranzit në qytetin Opatovac janë kilometrike. Shumë prej tyre nuk e dinë se çfarë ndodh pas kësaj, por qëllimi i tyre është i qartë, të arrijnë Berlinin. Sipas rrejtit BBC, pikërisht në këtë kamp tranzit, në orët e vona të së hënës janë shënuar përleshje, ku më pas forcat speciale të policisë janë parë të hyjnë në kampin e strehimit. Po sipas të njëjtave burime, si pasojë e përleshjeve një person ka mbetur i plagosur.
Situatë kritike paraqitet edhe në Austri, ku qindra klandestinë po arrijnë në këmbë nga Hungaria. Të rraskapitur dhe të uritur, ata pranojnë veshjet dhe ushqimet nga punëtorët e ndihmave. Rreth pesë mijë emigrantë, kryesisht sirianë, arritën me tren në qytetin hungarez kufitar Hegyeshalom, ku vijuan më pas menjëherë kilometrat e mbetura drejt Autsrisë. Autoritetet hungareze depozituan emigrantët në stacionin lokal të trenit duke i lejuar ata të vijojnë në këmbë drejt Vienës, në përgjigje të vendimit të Kroacisë për të transportuar mijëra klandestinët që vijnë në territorin e saj dhe në kufirin me Hungarinë.
Kjo është situata në Greqi, ku klandestinët po shkojnë të regjistrohen në ishullin Lezbos. Të udhëhequr nga vullnetarët, refugjatët marrin autobusët për të udhëtuar, por ka edhe prej tyre që u besojnë këmbëve pavarësisht lodhjes dhe dëshpërimit. Qeveria lokale thotë se përballet me një mungesë të vullnetarëve teksa numri i atyre që arrijnë dhe kanë nevojë për ndihmë po rritet çdo ditë. Për shumicën dërrmuese të tyre, qëllimi final mbetet Gjermania, Suedia, dhe vende të tjera në Evropën Perëndimore.
Sigal