Teheran: Misteri prapa sulmit në Ambasadën Saudite

424
TEHERAN – Dy gjëra janë të qarta për ata që kanë sulmuar dhe djegur ambasadën saudite në Iran: veprimet e tyre kanë marrë vëmendjen e Riadit dhe pushteti klerik në Teheran nuk do që të bëjë asgjë me ta.
Se kush në të vërtetë ka kryer sulmin në ambasadën në Teheran, si dhe një sulm tjetër në konsullatën saudite në qytetin Mashhad, mbetet mister.
Sulmet, pjesë e protestave që kanë pasuar ekzekutimin e klerikut shiit, Nimr al-Nimr, nga Arabia Saudite, kanë bërë që Riadi dhe disa aleatë të tij të ndërpresin ose reduktojnë marrëdhëniet me Iranin.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatlollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar më 2 janar “hakmarrje hyjnore” për ekzektimin e Nimrit, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit – një degë ushtarake e ngarkuar me mbrojtjen e sistemit islamik të Iranit – ka premtuar “hakmarrje të ashpër”.
Qeveria e Iranit, zyrtarisht, ka qenë e shpejtë në distancimin e saj nga dhuna që ka pasuar. Presidenti Hassan Rohani ka dënuar ekzekutimin e Nimrit, por ka dënuar edhe sulmet ndaj zyrave diplomatike saudite, duke thënë se ato janë “krejtësisht të pajustifikueshme”. Autoritetet po ashtu kanë bërë të ditur se 44 protestues janë arrestuar në lidhje me sulmet.
Disa zyrtarë iranianë kanë thënë se sulmet mund të jenë kryer nga agjentë, me lidhje të dyshuara me qeveritë e huaja, përfshirë Arabinë Saudite.
“Në bazë të komenteve të liderit suprem të Iranit, Ajatollah Khamenei, në lidhje me infiltrimin e armikut, veprimet e fundit kundër ambasadës saudite mund të jenë planifikuar dhe mbështetur nga elemente të infiltruara”, ka thënë ministri iranian i Drejtësisë, Mostafa Pourmohammadi.
Disa vëzhgues të Iranit, megjithatë, besojnë se ekstremistët e lidhur me institucionet e sigurisë në vend kanë më shumë gjasa të qëndrojnë prapa sulmeve.
Ata vënë në dukje qasjen e lehtë të protestuesve në misionet diplomatike saudite, pavarësisht pranisë së policisë.
“Duket se kanë qenë të organizuar mirë. Nuk kanë pasur frikë nga identifikimi. Kanë bërë fotografi me ambasadën”, ka thënë gazetari iranian, Reza Haghighatnejad, me seli në Stamboll.
Kjo lë të kuptohet se ata mund të kenë vepruar me mbështetje nga qendrat e pushtetit, sepse, në të kaluarën, forcat iraniane nuk kanë treguar asnjë hezitim për të reaguar me forcë ndaj tubimeve dhe protestave të opozitës.
“Republika Islamike vepron me forcë dhe me shpejtësi kundër anëtarëve të opozitës ose kritikëve. Protestat nuk lejohen. Sulmi në ambasadën saudite ka zgjatur për një orë e gjysmë, derisa komandanti i policisë ka shkuar atje. Kjo është një tjetër shenjë se ka pasur koordinim në nivel të sigurisë”, ka thënë Haghighatnejad.
Aliasghar Ramezanpour, ish-zëvendësministër i Kulturës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai beson se Garda Revolucionare mban përgjegjësi, për shkak të komenteve ndezëse që ka bërë përpara sulmeve.
Në një deklaratë të lëshuar më 2 janar, Garda Revolucionare është zotuar se ekzekutimi i Nimrit mund t’i kushtojë shtrenjtë “regjimit të urryer saudit”.
“Kur Garda Revolucionare bën kërcënim, kjo do të thotë se do të ketë veprime. Kur nuk mund të veprojë shpejt jashtë Iranit, misionet diplomatike saudite janë vendi më i afërt. Edhe nëse Garda Revolucionare nuk ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë, deklarata e saj dhe tonet e ashpra kanë përgatitur terrenin”, ka thënë Ramezanpour.
Kushdo që ka qenë prapa sulmeve të dyshimta, ato nuk kanë qenë revolucionare, ka thënë shefi i policisë, Hossein Ashtari, më 6 janar.
“Mbajtja e protestave kundër Arabisë Saudite është e pranueshme, por asnjë person, i cili është besnik ndaj Republikës Islamike, nuk pushton një ambasadë në këtë mënyrë”,- ka thënë ai.(rel)
Sigal