Takimi Trump-Erdogan, liderët diskutojnë sot çështje të ndjeshme

551
Presidentët Donald Trump dhe Rexhep Taip Erdogan do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë, në bisedën e tyre të parë të drejtpërdrejtë, ndërsa do të diskutojnë për çështje të ndjeshme përfshirë situatën në Siri, luftën kundër terrorizmit, armatosjen e militantëve kurdë si dhe kërkesën për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të presë ditën e sotme në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, me të cilin do të diskutojë disa prej çështjeve më të ndjeshme, në një kohë kur marrëdhënia mes dy vendeve nuk është në momentin më të mirë të mundshëm.

Temat më problematike mbeten situata në Siri, lufta kundër terrorizmit si dhe armatosja e militantëve kurdë nga ana e Shteteve të Bashkuara, veprim ky që nuk është pritur mirë nga Turqia.

Palët pritet të shprehin vullnet të ndërsjelltë për të vijuar bashkëpunimin anti-ISIS, në kushtet kur Ankaraja ka rritur nivelin e dialogut me Moskës duke udhëhequr bisedimet për paqe që po zhvillohen në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.

Sa i përket armatosjes së kurdëve, një delegacion turk mbërriti më herët në Uashington për të parandaluar diçka të tillë, por zyrtarët amerikanë e bënë të qartë se vendimi ishte marrë dhe nuk mund të kthehej pas. Biseda mes Trump dhe Erdogan pritet të jetë edhe diskutimi final për këtë çështje.

Presidenti i Turqisë pritet të shtyjë edhe njëherë drejt mundësisë së ekstradimit të Fetullah Gulen, i cili akuzohet edhe si organizatori kryesor i grushtit të dështuar të shtetit.

Megjithatë, edhe për këtë çështje, ekspertët kanë pritshmëri të ulëta.

Takimi i ditës së sotme përbën edhe diskutimin e parë të drejtpërdrejtë mes palëve.

Pas bisedës me dyer të mbyllura, Presidentët Trump dhe Erdogan do të mbajnë një konferencë për mediat, ku do të shpalosin edhe konkluzionet e tyre.
Sigal