Superaksion në Britani, 50 oficerë dhe një helikopter për kapjen e 5 shqiptarëve

394
Sigal

Një operacion masiv për të shkatërruar bandat e krimit të organizuar në Britani çoi në bastisjen e 7 shtëpive, sekuestrimin e një sasi kanabisi me blerë 500 mijë paund dhe arrestimin e 5 personave, të gjithë shqiptarë.

Ata u arrestuan falë një helikopteri të policisë që përdor teknologjinë e kërkimit të nxehtësisë, që zbuloi 6 ferma kanabisi.

Bastisja e këtyre pronave, të cilat ndodheshin të gjitha në të njëjtën zonë të Peterborough, pasuan nga një numër urdhërarrestesh nëpër qytet, mëngjesin e së premtes.

Rreth 50 oficerë policie zbarkuan në 7 adresa të ndryshme në zonën e Bretton. Më shumë se 571 bimë kanabisi, në stade të ndryshme rritjeje, u sekuestruan në total, vlera e të cilave përllogaritet se shkonte në 500 mijë paund. Autoritetet sekuestruan gjithashtu edhe 2 kilogramë kanabis të tharë.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan 5 shqiptarë të moshës 19, 22, 23, 27 dhe 49 vjeç, në adresa të ndryshme nëpër Bretton dhe Westwood. Dy prej tyre do të hetohen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët në burg.

Shqiptarët që u lanë në burg janë 22-vjeçari Ardian Pepaj, i cili akuzohet për posedim të dokumenteve false, Kledian Lezaj 27-vjeç e Sokol Sakuta 23 vjeç, të cilët akuzohen për prodhim kanabisi.

Autoritetet britanike e konsideruan këtë operacion fantastik, jo vetëm për gjetjen e kanabisit, por për heqjen nga tregu të gjysmë milionë paund nga xhepat e bandave të krimit të organizuar, që do ta përdornin atë për të blerë drogë të Klasit A dhe për të financuar krime të tilla si trafiku i qenieve njerëzore.

Operacioni u zhvillua pasi autoritetet kishin mësuar për një pronë ku prodhohej kanabisi, por falë helikopterit ata arritën të zbulonin edhe 6 të tjera.