Studimi tronditës për koronavirusin: Për 4 muaj mund të vdesin mbi 80 mijë njerëz

157

Me mbi 85000 raste të konfirmuara me Covid-19 , Shtetet e Bashkuara tejkalojnë Kinën dhe Italinë, duke u bërë vendi me numrin më të lartë të të prekurve në botë. Por me gati 1300 viktima, bilanci amerikan mbetet shumë prapa atij të Kinës dhe Italisë.

Rekordi i zymtë, vjen ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump parashikoi se vendi do t’i rikthehej shumë shpejt punës. i pyetur lidhur me të dhënat e fundit gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, numri një i Uashingtonit tha se rritja e shifrave i detyrohej shtimit të testimeve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka vendosur një objektiv të shumë kritikuar, për rihapjen e vendit për Pashkë në 12 prill.

Ekonomia amerikane po e vuan rëndë mbylljen, me gati 3.3 milion qytetarë që janë regjistruar si të papunë vetëm në një javë. Trump po mendon të hapë disa pjesë të vendit të cilat, siç thotë, nuk janë të prekura rëndë nga pandemia. Në një letër dërguar guvernatorëve të shteteve të enjten, ai sqaroi se ka në plan të udhëzojë disa rajone të lehtësojnë kufizimet duke lënë në fuqi rregullat për ruajtjen e distancimit social.

Por qëndrimi i tij, bie ndesh me parashikimet ekspertëve të shëndetësisë. Sipas një raporti, Covid-19 mund të shkaktojë deri në 80 mijë viktima në Shtetet e Bashkuara. “Ne vlerësojmë se numri total i atyre që mund të humbin jetën gjatë 4 muajve në vazhdim mund të jetë rreth 81000. Madje edhe më shumë, në varësi të rrethanave”, tha Chris Murray, nga Universiteti i Uashingtonit. Sipas studimit, 2300 pacientë mund të vdesin çdo ditë duke filluar nga prilli.

Andrew Cuomo, guvernatori i shtetit të prekur më rëndë, Nju Jorkut, tha të enjten se izolimi në shtëpi mund të mos ketë qenë qasja më e mirë ndaj virusit. Karantinimi i të moshuarve me të rinjtë, me shumë gjasë nuk është një strategji efikase.