Stoltenberg: Pas zgjidhjes së emrit Maqedonia do marrë ftesë për në NATO

535
Maqedonia do të marrë ftesë nga Aleanca pas zgjidhjes së çështjes së emrit, kështu deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për gazetën beogradase “Politika”. Stoltenberg edhe një herë ka theksuar përkushtimin e Aleancës për të mbështetur Maqedoninë në anëtarësimin në NATO, duke shtuar se ka lëvizje pozitive drejt zgjidhjes së çështjes. Sipas tij, është me rëndësi edhe puna që bën Qeveria e Maqedonisë në procesin e reformave.
“Jam i lumtur që e kam vizituar Shkupin këtë muaj. Mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe dëshirojmë që të ketë sukses në këtë drejtim. Kjo është në pajtim me vendimin e sjellë në Samitin në Bukuresht në vitin 2008 dhe është përsëritur në deklaratat tona në Uells dhe Varshavë. Aleatët u pajtuan se NATO do të dërgojë ftesë për anëtarësim në Aleancë pas zgjidhjes së dakorduar bashkërisht për kontestin për emrin në kuadër të KB-së. Edhe para ca kohësh pamë impuls pozitiv për çështjen e emrit”, tha Stoltenberg.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në botë, Stoltenberg deklaroi se Aleanca është duke u ballafaquar me “situatën më komplekse dhe më të paparashikueshme të sigurisë në një gjeneratë”.
Sigal