Spanjë, Euroskeptikët betohen në bashkitë e Madridit dhe Barcelonës

480
E pagëzuar si gjyshja që i përqafon të gjithë, Manuela Karmena, u betua si kryetare e Bashkisë së Madridit, pasi fitoi zgjedhjet lokale e mbështetur nga “Podemos”, partia që kundërshton masat shtrënguese të Bashkimit Europian, duke i dhënë fund sundimit 24-vjeçar të Partisë Popullore.
Një tjetër goditje kjo për koalicionin e qendrës së djathtë, pas braktisjes në masë të saj nga votuesit spanjollë, të cilët zgjodhën “Podemos” si alternativë për qeverisjet vendore, duke rritur edhe më tepër presionin ndaj kryeministrit Mariano Rahoj, dhe qendrimit të tij ndaj Brukselit për sa i përket masave shtrënguese në ekonomi që vendi duhet të ndërmarrë.
71-vjeçarja Karmena e përqendroi fushatën e saj në bllokimin e privatizimeve dhe parandalimin e sekuestrimit të shtëpive, personave që nuk mund të paguajnë këstet e kredive.
Edhe pse ajo nuk pranon që ka lidhje me Podemos, Pablo Iglezias, lideri i kësaj force të re politike që, frymëzuar nga Syriza në Greqi, mori famë brenda një viti, është tmerrësisht i lumtur me suksesin e saj.
Në Barcelonë, një tjetër kundërshtare e masave shtrënguese, Ada Kolau, u betua në detyrë, pas një viti të mbushur me beteja për të penguar sekuestrimin e banesave ndaj atyre që nuk paguanin dot kreditë për shkak të krizës. Ajo largoi nga detyra Ksavier Trias, edhe pse ky i fundit është një prej mbështetësve më të mëdhenj të pavarësisë së Katalunjës, një prej krahinave autonome në Mbretërinë e Spanjës me më tepër tendenca separatiste.
Përveçse i ka dhënë prioritet krijimit të vendeve të reja të punës, Kolau ka deklaruar se do të marrë si rrogë vetëm 25% të asaj që merrte pararendësi, si dhe do të heqë dorë nga privilegjet e tjera që kishte posti i kryebashkiakut.
Sigal