Sot dita e fundit e fushatës në Kosovë, të dielën do të zhvillohen votimet

184
Sigal

Subjektet politike në Kosovë kanë kohë vetëm edhe sot të bëjnë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, fushatë kjo që nisi më 3 shkurt.

Për zgjedhjet parlamentare, subjektet politike kanë pasur kohë dhjetë ditë që të shpalosin para qytetarëve plan-programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë.

Subjektet politike do të përmbyllin fushatën zgjedhore të premten në mesnatë, ndërsa dita e shtune do të jetë heshtje zgjedhore.

Kryesisht, tubimet e subjekteve politike kaluan të qeta dhe deri tani nuk është shënuar ndonjë incident, por në këto tubime të partive politike nuk janë respektuar masat anti-COVID-19.

Inspektoriati në Prishtinë ka dhënë 11 gjoba për subjektet politike, të cilat nuk kanë respektuar masat anti-COVID-19.

Tri gjoba për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tri gjoba për Partinë Demokratike të Kosovës, dy gjoba për Lëvizjen Vetëvendosje, dy gjoba për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një gjobë për Nismën Socialdemokrate.

Tubimet e subjekteve politike janë përcjellë me numër të madh të qytetarëve, ku shumë prej tyre nuk kishin as maska mbrojtëse.

Ndërkaq, deri tani, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dhënë tri gjoba për partitë politike, të cilat arrijnë shumën e 43 mijë e 700 euro.

Prej 11 ankesave të vendosura, PZAP ka pranuar si të bazuara 6 ankesa, 1 ankesë ka refuzuar të pabazuar dhe 4 ankesa i ka hedhur të palejuara.

Sipas njoftimit të PZAP-it, AAK-ja është dënuar me 22 mijë e 700 euro, Nisma Socialdemokrate 20 mijë euro dhe PDK-ja me 1 mijë euro.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në seancën e mbajtur me datën 11.02.2021 ka shqyrtuar dhe vendosur lidhur me 11 ankesa që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje! Ka paraqitur dy (2) ankesa, një (1) kundër PDK, dhe një (1) kundër AAK, Lidhja Demokratike ka paraqitur një (1) ankese kundër AAK, Organizata Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) ka paraqitur 7 ankesa, tri (3) ankesa kundër AAK, një (1) ankesë kundër PDK, një (1) ankesë kundër LDK, një (1) ankesë kundër NISMA Socialdemokrate, një (1) ankesë kundër Iniciativës Qytetare ‘Komuniteti i Bashkuar’ – Adrijana Hodzic dhe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paraqitur një (1) ankesë kundër Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Rahovec”, thuhet në njoftim.