Sipërfaqja e pyjeve të shkatërruar nga zjarret është dyfishuar në 20 vitet e fundit

119
Sigal

Zjarret tani po shkatërrojnë dy herë më shumë pyje në mbarë botën sesa në fillim të shekullit, “ndoshta” për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të botuar ditën e sotme.

Në krahasim me vitin 2001, zjarret në pyje tani po shkatërrojnë 30 milionë hektarë më shumë në vit, një zonë sa Belgjika, sipas të dhënave satelitore të mbledhura nga Global Forest Watch (GFW), Instituti i Burimeve Botërore (WRI) dhe Universiteti i Maryland.

70% e sipërfaqes së shkatërruar nga zjarret në 20 vitet e fundit përfshin  pyjet boreale, të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të Rusisë, Kanadasë dhe Alaskës, dhe janë rezervat më të mëdha në botë të dioksidit të karbonit.

Në Rusi që nga viti 2001, janë djegur 530 milionë hektarë, një sipërfaqe e barabartë me sipërfaqen e Francës. Këto zjarre, sipas raportit, përbëjnë një të katërtën e humbjeve totale të pyjeve që nga fillimi i shekullit, ndërsa pjesa tjetër për shkak të prerjes së pyjeve dhe fenomeneve të tjera natyrore, si stuhitë dhe përmbytjet.

Shkatërrimi i pyjeve për shkak të zjarreve po rritet çdo vit me afërsisht 4%, pra me 2,300,000 hektarë. Dhe 50% e kësaj rritjeje është për shkak të zjarreve të mëdha që shpërthejnë në pyjet veriore, të cilat “ka gjasa të jenë rezultat i rritjes së temperaturës në rajonet veriore”, theksojnë studiuesit.

Sipas tyre, ndryshimi i klimës është ndoshta një kontribuues i madh në rritjen e zjarreve, pasi valët ekstreme të të nxehtit janë pesë herë më të zakonshme sot se sa ishin 150 vite më parë.

Për më tepër, zjarret në pyje shkaktojnë një çlirim masiv të gazeve serrë, të cilat përkeqësojnë më tej ndryshimet klimatike.

“Në rajonet veriore dioksidi i karbonit është përqendruar në tokë për qindra vjet, i mbrojtur nga një shtresë lagështie,” shpjegoi analisti i GFW James McCarthy. “Këto zjarre, më të shpeshta dhe më të rënda, djegin këtë shtresë dhe lëshojnë dioksid karboni.

Studiuesit po u bëjnë thirrje qeverive të përmirësojnë elasticitetin e pyjeve duke i dhënë fund shpyllëzimit dhe duke kufizuar disa praktika menaxhimi, veçanërisht djegia e kontrolluar që është shumë e rrezikshme gjatë periudhave të thatësirës.

“Pyjet janë një nga mbrojtjet më të mira kundër ndryshimeve klimatike që kemi,” përfundoi McCarthy.