Sigal

Katër ditë punë dhe tre ditë pushim! Kjo është ideja e një lëvizjeje sindikale në Britani, e cila ka bërë thirrje për përdorimin e fuqisë së teknologjisë për t’u dhënë punëtorëve një jave pune katër ditore.

E ndërsa në Shqipëri punohet kryesisht 6 ditë në javë e madje në sektorin fason edhe 7 ditë në javë, në vendet perëndimore, po zgjerohen ditët e pushimit, duke ulur ndjeshëm orët e punës.

Frances O’Grady, sekretarja e përgjithshme e Kongresit të Sindikatave thotë se është i mundur ky ndryshim në shekullin 21.

Kërkesa e sindikatës TUC, i bën thirrje qeverisë britanike për të ndërmarrë veprime për të ndihmuar njerëzit të punojnë më pak, por të paguhen njësoj.

Inteligjenca artificiale, robotika dhe automatizimi mund të ofrojnë një rritje ekonomike prej 200 miliardë euro në dekadën e ardhshme, shkruan BBC.

Argumenti është se nëse përfitimet e teknologjive të reja do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, punëtorët mund të kenë një javë më të shkurtër pune (pa humbje pagash) dhe produktiviteti mund të rritet, siç është rasti i kompanive në Zelandën e Re dhe Suedi.

Nën një javë katër ditore (28 orë), orët e gjata të punës mund të mbeten në të shkuarën. Punëtorët do të ndiheshin më të lumtur dhe më produktivë, duke shtuar përkushtimin ndaj punëdhënësit të tyre.

Shembulli nuk duket i pazakontë, pasi ka një kompani në Uells, që ka futur praktikën, duke u dhënë punonjësve tri ditë pushim dhe sigurisht duke iu dhënë pagën e plotë, ka rezultuar e suksesshme.

Mark Hooper, themelues i IndyCube me bazë në Cardiff, tha se kalimi në këtë marrëveshje të re pune gjatë 18 muajve të fundit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.

“Ne menduam se kishim një mundësi për të provuar diçka, që ju të mund të jeni produktiv në katër ditë si në pesë, dhe ia vlen”, tha ai.

Tani kompania po prodhon më shumë dhe po zgjerohet jashtë Uellsit.