Shuhet Margaret Thatcher, ‘Zonja e Hekurt’. Obama: “SHBA humbi një mike”

519
Sigal

Është shuar në moshën 87 vjeçe ish-Kryeministrja Britanike

Margaret Thatcher. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i saj, i cili deklaroi se, Thatcher vdiq në shtëpinë e saj, si pasojë e një hemorragjie cerebrale. E konsideruar si ‘Zonja e Hekurt’, Margaret Thatcher ishte kryeministre konservatore e Britanisë së Madhe nga viti 1979 deri në vitin 1990. Ajo ishte gruaja e parë që mbante postin e Kryeministres së Britanisë së Madhe. Ajo fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1979, në vitin 1983 dhe 1987. Ajo ishte gjithashtu në drejtimin e vendit kur Britania e Madhe hyri në luftë me Argjentinën për ishujt Falkland në vitin 1982. Margaret Thatcher konsiderohet si Kryeministrja më e fuqishme e Britanisë së Madhe, që pas Luftës së Dytë Botërore. Ish-kryeministres Britanike i atribuohet, gjithashtu, transformimi i ekonomisë së Britanisë së Madhe, duke e bërë atë një rivale të denjë në arenën ndërkombëtare. Shumë karakteristika të ekonomisë moderne të globalizuar të tilla si privatizimi, liberalizimi, qeveria e vogël, taksa të ulëta dhe tregtia e lirë u promovuan të gjitha si rezultat i politikave që ajo ndërmori. Ndërkohë, valëvitet në gjysmështizë flamuri britanik në Vvestminster, ndërtesa e Parlamentit në Londër, në nderim të ish-kryeministres Margaret Thatcher, e cila vdiq dje në moshën 87 vjeçe.