Shteti Islamik humb kontrollin e territoreve në Irak dhe në Siri

256
Grupi xhihadist i Shtetit Islamik (ISIS) ka humbur rreth një të tretën e territoreve që kontrollonte më parë në Siri dhe në Irak, referuar të dhënave të ofruara sot nga koalicioni antixhihadist i drejtuar nga SHBA-ja.

“Në Irak është rreth 40 për qind dhe në Siri ne mendojmë se është rreth 20 për qind”, u shpreh koloneli amerikan, Steve Warren, zëdhënës i këtij koalicioni që po kryen sulme ajrore prej më shumë se një viti ndaj pozicioneve të ISIS-it në Irak dhe në Siri.

“Në të dy vendet, mund të shprehemi se xhihadistët e ISIS-it kanë humbur 30 për qind të territorit që ata kontrollonin më parë”, tha ky zëdhënës për median në Bagdad. ISIS-i ka pësuar një sërë disfatash të rëndësishme muajt e fundit në Siri dhe në Irak, më e fundit në Ramadi, kryeqendra më e madhe e provincës sunite irakiane Al-Anbar.